Vetëm një ditë përpara startit të sezonit të tretë të “Ferma VIP”, regjisori Eduart Grishaj ka zbuluar detaje të rëndësishme mbi organizimin dhe risitë e këtij edicioni gjatë një interviste me Florian Agalliu në Vizion Plus.
Sipas tij, ky sezon do të zgjasë plot 100 ditë, gjatë të cilave konkurrentët do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm 24 orë në ditë. Spektakli do të transmetohet dy herë në javë, duke sjellë më shumë përmbajtje dhe zhvillime për publikun.
Një nga ndryshimet më të mëdha këtë vit lidhet me rritjen e numrit të pjesëmarrësve dhe zgjerimin e ambienteve. Në natën e parë pritet të hyjë një numër rekord konkurrentësh, të cilët do të ndahen në tre hapësira të ndryshme banimi.
Sipas Grishajt, numri i tyre është dyfishuar krahasuar me sezonin e parë, duke arritur në 24 fermerë. Ai theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për emra të njohur për publikun, por që nuk janë parë më parë në një format të tillë 24-orësh.
Ndryshime të mëdha ka pësuar edhe koncepti i ambientit. Shtëpia nuk i ngjan më një fshati tradicional shqiptar, por është transformuar në një stil më modern, të ngjashëm me ambiente në Teksas apo Los Anxhelos. Elementë si pellgu i rosave janë zëvendësuar me një pishinë luksoze, ndërsa hapësirat për kryefermerin dhe fakirët janë rikonceptuar plotësisht.
Në aspektin teknik, produksioni ka bërë investime të konsiderueshme. Shtëpia është tashmë katër herë më e madhe dhe monitorimi do të realizohet përmes 158 kamerave të teknologjisë së fundit, të ngjashme me ato që përdoren në evente të mëdha sportive ndërkombëtare. Grishaj theksoi se synimi ka qenë të sillte një qasje më kinematografike në realizimin e programit.
Sa i përket lojës, ky sezon do të kombinojë jetën në fermë me sfida fizike dhe dinamike. Konkurrentët do të përballen si me punë tradicionale, si kujdesi për tokën dhe kafshët, ashtu edhe me prova sportive të përshtatura për të gjithë.
“Ferma VIP 3” nis transmetimin këtë të premte dhe do të drejtohet nga Arbana Osmani. Në rolin e opinionistëve do të jenë Einxhel Shkira, Armina Mevlani dhe Ermal Mamaqi, duke kompletuar kështu panelin e këtij edicioni.




