Koncerti i Yll Limanit në Shkup u shndërrua në një mbrëmje plot emocione, ku përveç hiteve të tij, artisti preku zemrat e publikut me një dedikim të veçantë për Shpat Kasapin.
Përpara mijëra fansave, Ylli ndaloi për pak çaste performancën për të kujtuar artistin e ndjerë, duke treguar se ai ka pasur një ndikim të madh në formimin e tij muzikor.
“Shpat Kasapi është një nga artistët me më së shumti ndikim në muzikën shqiptare dhe një nga ata artistë që më ka formuar.”
Këngëtari rrëfeu se është rritur me muzikën e Shpat Kasapit dhe se i njihte pothuajse të gjitha këngët e repertorit të tij.
“Kur isha i vogël, i doja shumë këngët e tij dhe nuk kishte këngë që nuk ia dija. Nuk e kam njohur personalisht, por dy-tri herë e kam takuar në aeroport dhe gjithmonë jam shtangur nga ideja që takova idhullin e fëmijërisë sime.”
Pas këtij rrëfimi emocionues, Yll Limani interpretoi një këngë në nder të Shpat Kasapit, ndërsa publiku në Shkup e shoqëroi momentin me duartrokitje të gjata.
Dedikimi u kthye në një nga çastet më prekëse të koncertit, duke dëshmuar se muzika dhe trashëgimia artistike e Shpat Kasapit vazhdojnë të jetojnë përmes publikut dhe artistëve që janë frymëzuar prej tij.




