Publikimi dhe shpërndarja e videove intime që kanë përfshirë në debat disa personazhe të njohur ka sjellë reagimin publik të Ori Nebijajt.
Përmes një postimi të gjatë në Instagram, Nebijaj ka kritikuar mënyrën se si materiale të tilla përhapen në rrjet, por edhe kuriozitetin e publikut ndaj jetës private të personazheve.
“Në fakt, skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje”, shkruan ajo.
Nebijaj ngre shqetësimin se personat e shfaqur në materiale të tilla mund të jenë filmuar pa dijeninë ose pëlqimin e tyre. Sipas saj, përgjegjësia duhet të shtrihet si te ata që filmojnë intimitetin e dikujt pa leje, ashtu edhe te personat që më pas vendosin t’i shpërndajnë këto pamje.
“Ky është abuzim, jo argëtim”, thekson ajo.
Në reagimin e saj, Nebijaj kritikon edhe mënyrën se si zhvillohet debati publik pas publikimit të videove intime. Sipas saj, vëmendja përqendrohet te pyetjet mbi marrëdhëniet personale të personave të përfshirë, ndërsa çështja e privatësisë dhe e mënyrës se si janë siguruar e shpërndarë pamjet mbetet në plan të dytë.
Ajo ndalet gjithashtu te mënyra se si, sipas saj, gjykimi në rrjet rëndon më shumë mbi gratë.
“Burri mund të jetë pjesë e së njëjtës histori, por ajo bëhet titulli, objekti i gjykimit dhe shënjestra e komenteve”, shkruan Nebijaj, duke e cilësuar këtë si një standard të dyfishtë.
Në fund të reagimit, ajo përmend edhe kompozitorin Adrian Hila dhe kërkon përgjegjësi për personat që kanë shpërndarë materialet, qoftë ata që i kanë publikuar fillimisht apo ata që i kanë rishpërndarë më pas.
Reagimi i Ori Nebijajt vjen ndërsa videot intime që po qarkullojnë online kanë hapur një debat më të gjerë mbi privatësinë, pëlqimin dhe përgjegjësinë për shpërndarjen e materialeve intime pa autorizim.




