Vdekja e Giorgos Mazonakis shkak për mbylljen e klinikës private pas zbulimit të kimioterapive të paautorizuara?

Vdekja e Giorgos Mazonakis shkak për mbylljen e klinikës private pas zbulimit të kimioterapive të paautorizuara?

Një klinikë private në Selanik është urdhëruar të ndërpresë aktivitetin pasi kontrollet zbuluan se brenda saj funksiononte një repart onkologjik i paautorizuar, ku kryheshin trajtime me kimioterapi.

Vendimi i autoriteteve rajonale iu dorëzua klinikës më 29 shtator, pas gjetjeve të Autoritetit Kombëtar të Transparencës në Greqi.

Sipas raportit të kontrollit, në ambientet e klinikës kishte pajisje për përgatitjen e barnave kimioterapeutike, ndonëse shërbimi onkologjik nuk ishte pjesë e licencës së institucionit.

Në këtë repart punonte një pneumolog me specializim në onkologjinë e mushkërive, i cili, sipas autoriteteve, nuk kishte kontratë të shkruar me klinikën. Nga kontrollet rezultoi se që prej vitit 2022, ai përshkruante barna kimioterapie dhe mbikëqyrte administrimin e tyre, ndërsa përgatitja e medikamenteve kryhej nga personeli i klinikës.

Kontrolli evidentoi edhe probleme të tjera në funksionimin e institucionit.

Sipas raportit, klinika kishte numër të pamjaftueshëm infermierësh, mungesa të personelit në disa specialitete të detyrueshme, si dhe një njësi të kujdesit intensiv që nuk funksiononte, pavarësisht se kërkohej nga kushtet e licencimit.

Një pjesë e hetimit lidhet gjithashtu me dokumentacionin e pacientëve.

Në disa raste të shqyrtuara, pacientët ishin regjistruar për shtrim me diagnoza që nuk përfshinin sëmundje malinje, ndërsa gjatë qëndrimit të tyre rezultonte administrimi i barnave kimioterapeutike.

Autoritetet po verifikojnë nëse klinika kishte paraqitur të dhëna të pasakta pranë EOPYY për të përfituar rimbursime.

Megjithatë, këto janë aktualisht dyshime që lidhen me dokumentacionin dhe pagesat dhe nuk përbëjnë një përfundim se pacientët nuk kishin nevojë për trajtimin e marrë.

Problemet me funksionimin e klinikës nuk janë të reja. Pas kontrolleve lidhur me mungesën e personelit, në fillim të vitit 2026 ishte tërhequr certifikata e funksionimit të rregullt dhe ishte rekomanduar ndërprerja e aktivitetit.

Pavarësisht kësaj, klinika kishte vijuar të funksiononte.

Tashmë po shqyrtohet edhe përgjegjësia e institucioneve që kishin për detyrë mbikëqyrjen e aktivitetit të saj.

Raporti i kontrolleve i është përcjellë Prokurorisë, për verifikimin e përgjegjësive të mundshme penale, EOPYY-së për çështjet që lidhen me rimbursimet dhe shoqatës përkatëse të mjekëve për përgjegjësi të mundshme disiplinore.

Megjithatë, heqja e licencës nuk nënkupton që klinika boshatiset menjëherë. Sipas raportimeve nga mediat greke, në institucion ndodhen ende pacientë dhe persona të moshuar që duhet të transferohen, ndaj është parashikuar një periudhë prej të paktën 15 ditësh për përfundimin e procedurës.

A ka lidhje me vdekjen e Giorgos Mazonakis?

Zhvillimi vjen në një periudhë kur në Greqi janë shtuar kontrollet mbi shërbimet shëndetësore private, pas hetimit që lidhet me vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis.

Megjithatë, klinika në Selanik nuk është institucioni në Athinë ku ishte trajtuar artisti. Bëhet fjalë për dy çështje të veçanta, të cilat janë bërë pjesë e debatit më të gjerë mbi sigurinë dhe mbikëqyrjen e shërbimeve private shëndetësore.

Në këtë kuadër është prezantuar edhe sistemi MedWatch, i cili krahason shërbimet e reklamuara nga mjekët dhe klinikat me autorizimet që ata zotërojnë.

Sinjalizimet e këtij sistemi shërbejnë për të orientuar kontrollet, por nuk përbëjnë vetvetiu provë se një mjek apo institucion ka shkelur ligjin.