Tronditje te Portugalia! Cristiano Ronaldo largohet nga kombëtarja: “Në kohën e duhur do të tregoj të vërtetën”

Cristiano Ronaldo via Instagram
Cristiano Ronaldo via Instagram

Një situatë e papritur ka përfshirë kombëtaren portugeze vetëm pak orë para përballjes me Danimarkën. Cristiano Ronaldo është larguar nga grumbullimi i skuadrës në Kopenhagë, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi atë që ka ndodhur në prapaskenë.

Vendimi i CR7 erdhi pak pas konferencës për shtyp të trajnerit Jorge Jesus, i cili konfirmoi se ylli portugez nuk do ta niste nga minuta e parë sfidën ndaj Danimarkës. Sipas trajnerit, vendimet për formacionin i takojnë vetëm atij, ndërsa Gonçalo Ramos pritej të ishte titullar në sulm.

Raportet mes Cristiano Ronaldos dhe trajnerit duket se ishin tensionuar që pas ndeshjes ndaj Norvegjisë. Ronaldo qëndroi gjatë gjithë takimit në stol, edhe pse u pa duke u nxehur gjatë lojës.

Portugalia fitoi 2-1, por 41-vjeçari nuk u aktivizua as si zëvendësues. Një situatë e tillë ishte e pazakontë për kapitenin portugez, i cili prej vitesh nuk ishte lënë jashtë loje në këtë mënyrë në një ndeshje konkurruese të kombëtares.

Pas takimit, Ronaldo nuk mori pjesë në disa prej aktiviteteve të skuadrës dhe në ditët në vijim nuk u stërvit rregullisht me pjesën tjetër të ekipit. Ndërkohë, Federata Portugeze nuk kishte bërë të ditur se lojtari po përballej me ndonjë dëmtim.

Në konferencën përpara ndeshjes me Danimarkën, Jorge Jesus u përpoq të minimizonte zërat për një përplasje me kapitenin.

Trajneri deklaroi se nuk kishte konflikt mes tyre, por theksoi se përgjegjësia për formacionin i takon vetëm atij. Jesus pranoi se Ronaldo ishte i zhgënjyer pasi nuk u aktivizua ndaj Norvegjisë, por këmbënguli se të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë lojtarët.

Sipas tij, nëse Portugalia do të kishte nevojë për Ronaldon gjatë ndeshjes, ai do të aktivizohej.

Megjithatë, vetëm pak kohë pas këtyre deklaratave, situata mori një kthesë të papritur.

Vetë Cristiano Ronaldo konfirmoi largimin e tij nga grumbullimi përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai bëri të ditur se vendimin e kishte marrë pas konferencës së trajnerit dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença.

Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është paralajmërimi i Ronaldos se do të flasë publikisht për arsyet e vendimit.

Kapiteni portugez tha se “në kohën e duhur” do t’u tregojë portugezëve të vërtetën për atë që e shtyu të largohej nga kombëtarja. Në fund, ai uroi fat shokëve të skuadrës për ndeshjet e ardhshme.

Edhe Federata Portugeze konfirmoi largimin e kapitenit, duke bërë të ditur se pjesa tjetër e skuadrës do të vijojë përgatitjet për sfidat e radhës.

Pas këtij zhvillimi, një nga pyetjet kryesore është nëse ky largim shënon fundin e aventurës së Ronaldo-s me kombëtaren portugeze.

Megjithatë, për momentin nuk ka një njoftim zyrtar për tërheqjen e tij nga Portugalia dhe as Federata nuk ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një ndarje përfundimtare.

Ronaldo mbetet kapiteni, golashënuesi rekord dhe lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Portugalisë, me 146 gola në 234 ndeshje ndërkombëtare.

Tashmë, vëmendja është përqendruar te deklaratat e ardhshme të yllit portugez. Ronaldo ka premtuar se do të flasë dhe se do të zbulojë “të vërtetën” mbi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.