Ndërsa Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë ndërtuar një nga rivalitetet më të mëdha në historinë e futbollit, partneret e tyre po tregojnë se jashtë fushës mbizotëron një marrëdhënie krejt tjetër.
Georgina Rodriguez i ka bërë një surprizë të veçantë Antonela Roccuzzo, duke i dërguar një komplet me pajisje joga nga marka sportive Mimoa, e cila menaxhohet prej saj.
Antonela, e emocionuar nga dhurata, e ndau momentin me ndjekësit në Instagram, duke falenderuar publikisht partneren e Cristiano Ronaldos me fjalët:
"Faleminderit shumë Georgina. Çdo gjë është e bukur. Të uroj gjithë suksesin e botës."
Ky gjest miqësor ka marrë menjëherë vëmendjen e fansave, të cilët e kanë cilësuar si një moment që tregon se respekti mund të ekzistojë edhe mes dy familjeve të lidhura me rivalitetin më të madh të futbollit. Komentet kanë qenë të shumta, nga ata që e quajtën një gjest të bukur e deri te ata që nuk kursyen batutat, duke bërë humor me "paqen" mes dy kampeve.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Georgina Rodriguez dhe Antonela Roccuzzo shfaqin afrimitet. Prej kohësh ato kanë mbështetur njëra-tjetrën në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia e tyre është shumë më e ngrohtë sesa rivaliteti historik mes Ronaldos dhe Messit.




