Reperi Stresi ka reaguar në rrjetet sociale pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke publikuar fillimisht fotografinë e studentit Klev Metaj, i cili, sipas raportimeve, u gjakos dhe u prangos nga gjashtë efektivë policie gjatë tubimit.
Krahas fotografisë, reperi ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj veprimit të policisë, duke shoqëruar imazhin me një mesazh të drejtpërdrejtë.
“I vetëm përballë 6 policëve!!! Polici manjakësh të pashkollë”, ka shkruar Stresi.

Stresi via Instagram Story
Por ky nuk ka qenë reagimi i vetëm i artistit lidhur me situatën e tensionuar në kryeqytet. Në një tjetër publikim, ai ka shpërndarë një fotografi ku shihen disa shishe të mbushura me benzinë, të lidhura me mjete piroteknike.
Krahas imazhit, reperi ka publikuar edhe një mesazh që ka tërhequr vëmendjen, duke pretenduar se këto mjete mund të përdoren për të zmbrapsur forcat e rendit.
“Vetëm me këto i zbrapsni policët, e makinat, e çdo gjë. Jua garantoj 100%”, ka shkruar ai.

Stresi via Instagram Story
Reagimet e Stresit vijnë në një moment kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Reperi njihet gjithashtu për qëndrimet e tij publike në mbështetje të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.
Gjatë protestës, sipas raportimeve, disa protestues kanë sulmuar me kokteje molotovi ndërtesën e Bashkisë së Tiranës dhe zonën e tregut pranë Pazarit të Ri.
Ndërkohë, dhjetëra protestues janë shoqëruar në komisariate, ndërsa disa persona të tjerë kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Publikimet e reperit i shtohen reagimeve të shumta që kanë pasuar protestën, ndërsa situata në kryeqytet vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike.




