“Sexy Mama” ndez debat në Maqedoninë e Veriut, Don Xhoni reagon pas kritikave për “Makedoniumin”

Don Xhoni via Instagram
Don Xhoni via Instagram

Videoklipi i këngës “Sexy Mama” nga Don Xhoni ka shkaktuar reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, pasi disa prej skenave janë xhiruar në ambientet e monumentit “Makedonium” në Krushevë.

Bëhet fjalë për një prej komplekseve më të rëndësishme historike dhe memoriale të vendit. Në këtë hapësirë ndodhet edhe varri i Nikola Karevit, i cili ishte president i Republikës së Krushevës gjatë Kryengritjes së Ilindenit të vitit 1903.

Pikërisht përdorimi i këtij ambienti për një videoklip të titulluar “Sexy Mama”, si dhe disa prej skenave të realizuara aty, kanë nxitur diskutime në mediat dhe opinionin publik maqedonas.

Në disa prej reagimeve është veçuar edhe një moment i klipit ku reperi shfaq gishtin e mesëm brenda objektit.

Sipas drejtorit të Muzeut Historik të Krushevës, Miha Oxhaklieski, produksioni kishte kërkuar leje për xhirimet dhe hapësira ishte vënë në dispozicion kundrejt një pagese prej rreth 500 eurosh për pesë deri në gjashtë orë.

Ai ka sqaruar gjithashtu se skenat me shtretër dhe vallëzim që shfaqen në videoklip nuk janë xhiruar në “Makedonium”, por në lokacione të tjera.

Megjithatë, çështja mori një tjetër drejtim pas deklaratave të drejtoreshës së Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestoeva. Ajo deklaroi për mediat maqedonase se pranë institucionit të saj nuk ishte paraqitur kërkesë për përdorimin e monumentit për këtë videoklip.

Duke qenë se “Makedonium” është pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur, procedura dhe kriteret sipas të cilave është lejuar përdorimi i hapësirës janë bërë pjesë e debatit.

Pas reagimeve të shumta, Don Xhoni ka vendosur të flasë përmes një postimi në Instagram.

“Po e shoh që ‘Sexy Mama’ është bërë debat i madh në Maqedoninë e Veriut. Për sqarim, as unë e as ekipi im nuk kemi pasur asnjë qëllim të provokojmë, ofendojmë apo t’ia ulim vlerën ndonjë vendi apo simboli”, shkroi reperi.

Ai theksoi se lokacioni ishte pjesë e konceptit të videoklipit dhe se është përzgjedhur nga produksioni, duke mohuar se pas zgjedhjes së tij kishte ndonjë mesazh të fshehtë apo synim provokues.

“Unë bëj muzikë. Bëj art. Bëj filma të shkurtër përmes videoklipeve të mia. Asnjë tendencë, asnjë provokim. Vetëm një skenar, një lokacion dhe një projekt artistik”, u shpreh Don Xhoni.

Reperi shtoi se nuk ka nevojë të krijojë situata të tilla për të tërhequr vëmendjen, duke përfunduar me fjalët:

“Besomëni, vëmendje kam edhe më shumë sesa dua. Nuk kam nevojë për dramë”.

Don Xhoni via Instagram Story

Ndërkohë, debati në Maqedoninë e Veriut vijon me qëndrime të ndryshme. Disa e konsiderojnë përdorimin e një kompleksi memorial për një projekt muzikor komercial si të papërshtatshëm, ndërsa të tjerë i kanë cilësuar reagimet si të ekzagjeruara.

Videoklipi ishte xhiruar që në shkurt, ndërsa kënga u publikua më 2 korrik. Megjithatë, vetëm së fundmi përdorimi i “Makedoniumit” është kthyer në një temë të gjerë diskutimi në mediat maqedonase.