Roza Lati ka bërë një rrëfim të sinqertë për eksperiencën e saj në edicionin e tretë të “Big Brother VIP Albania”, duke pranuar se pjesëmarrja në këtë format televiziv është një vendim për të cilin është penduar.
E ftuar në emisionin “Andale”, moderatorja u pyet për raportet me ish-banorët, veçanërisht për përplasjet që pati gjatë qëndrimit në shtëpi me Romeo Veshajn dhe Julian Dedën.
E pyetur nëse vazhdon të ketë hatërmbetje ndaj tyre, Roza u shpreh se nuk ushqen ndjenja negative për asnjërin.
“Jo, absolutisht nuk urrej asnjërin. Jam shumë rehat, s’e vras mendjen fare”, deklaroi ajo.
Gjatë bisedës, moderatorja u pyet gjithashtu nëse kishte mbetur e pakënaqur me produksionin apo me Ledion Liçon pas përfundimit të eksperiencës, ashtu siç ka ndodhur me disa ish-konkurrentë të tjerë.
“Ore, unë dola, ika në Vjenë. Ç’punë kam unë me ta?”, u përgjigj Roza, duke lënë të kuptohet se kishte zgjedhur të largohej nga gjithçka që lidhej me atë eksperiencë.
Megjithatë, momenti më emocional i intervistës erdhi kur ajo foli për gjendjen e saj personale përpara se të bëhej pjesë e spektaklit.
“Mua m’u thafshin këmbët që hyra kur isha në vitin tim më depresiv, sa më kishin ndërruar jetë dy qentë e mi… Kalova një abort, që fola për të, dhe kur dola jashtë mora vesh që ishte bërë zhurmë e madhe”, rrëfeu ajo.
Roza shpjegoi se vendimi për t'u futur në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania” kishte ardhur nga dëshira për të larguar mendjen nga problemet dhe dhimbja që po përjetonte në atë kohë.
Por, siç pranoi vetë, eksperienca nuk rezultoi ashtu siç kishte shpresuar.
“Hyra të hiqja mendjen. Brenda pastaj, u bëra pishman. Ta them, u bëra pishman”, tha ajo, duke e bërë të qartë se sot e sheh pjesëmarrjen në reality show si një vendim që do të kishte preferuar të mos e merrte në atë periudhë të jetës.
Përmes këtij rrëfimi, Roza Lati zbuloi anën më personale të eksperiencës së saj televizive, duke treguar se pas paraqitjes para kamerave fshihej një periudhë e mbushur me humbje dhe vështirësi emocionale. Ndërsa për raportet me ish-banorët dhe produksionin, ajo duket se ka zgjedhur të mos mbajë mëri dhe të vazhdojë përpara.




