“Publiku po ju bojkoton?”/ Romeo Veshaj thyen heshtjen për X Media me një reagim plot ironi...

Romeo Veshaj via Instagram
Romeo Veshaj via Instagram

Prej më shumë se tre javësh, platforma X Media, e themeluar nga vëllezërit Donald dhe Romeo Veshaj, nuk ka publikuar asnjë përmbajtje të re, duke ngritur pikëpyetje të shumta mes ndjekësve për të ardhmen e projektit.

Postimi i fundit në platformë daton më 13 qershor, me emisionin “Më Lër Ta Mbaroj”. Edhe pse në fund të episodit Donald Veshaj u shpreh se do të riktheheshin javën pasardhëse, që prej asaj dite nuk është transmetuar asnjë program i ri dhe nuk është dhënë një sqarim zyrtar për ndërprerjen.

Mungesa e aktivitetit përkoi me debatet publike ku u përfshinë vëllezërit Veshaj lidhur me investimet në Zvërnec, çka nxiti aludime në rrjet se platformat e tyre po përballeshin me një bojkot nga publiku.

Mes spekulimeve të shumta, ka reaguar për herë të parë Romeo Veshaj, i cili zgjodhi ironinë në vend të një deklarate të drejtpërdrejtë.

Në një InstaStory, ai shfaqet i ulur në zyrat e X Media, pranë tavolinës së punës dhe laptopit, me një buzëqeshje në fytyrë, duke lënë të kuptohet se puna vijon prapa kamerave.

Por vëmendjen e mori mbishkrimi i fotografisë:

“Ç’thotë plazhi?! Mirë?!”

Romeo Veshaj via Instagram Story

Mesazhi është interpretuar nga ndjekësit si një përgjigje me nota sarkastike ndaj zërave për bojkot, duke lënë të kuptohet se mungesa e publikimeve mund të lidhet thjesht me një periudhë pushimesh dhe jo me mbylljen apo pezullimin e X Media. Megjithatë, deri tani, platforma nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për datën e rikthimit të programeve.