“Pranoje dhe pastro ndërgjegjen”, nëna e Bleona Matës përballet me avokatin pas deklaratave të tij...

"Ftesë në 5" - Top Channel
"Ftesë në 5" - Top Channel

Deklaratat e avokatit Alban Duraj për rastin e Bleona Matës kanë shkaktuar reagime të forta, pasi ai pretendoi publikisht se vajza e zhdukur prej vitesh është gjetur dhe është birësuar nga një çift grek.

Sipas Durajt, këtë informacion ai e kishte marrë përmes një komunikimi me nënën e Bleonës, Bukurie Matën. Megjithatë, pretendimet e tij u mohuan menjëherë nga avokati i familjes, Idajet Beqiri, i cili i cilësoi deklaratat si të papërgjegjshme dhe theksoi se Duraj nuk ka lidhje me çështjen e familjes Mata.

Pasditen e sotme, Bukurie Mata dhe Alban Duraj u përballën publikisht në emisionin “Ftesë në 5”, me moderatore Bieta Sulon.

Nëna e Bleonës tha se ishte e tronditur nga deklaratat e avokatit dhe mohoi kategorikisht se kishte komunikuar me të. Ajo kërkoi që Duraj të mos fliste në emër të saj dhe paralajmëroi se, nëse pretendimet do të vazhdonin, do ta ndiqte çështjen edhe në rrugë ligjore.

Nga ana tjetër, Duraj këmbënguli se e kishte të regjistruar komunikimin me Bukurien. Ai sqaroi se nuk ishte prezantuar asnjëherë si avokat i familjes Mata, por se kishte qenë i ftuar në emision si ekspert.

Avokati pretendoi se kishte komunikuar me Bukurien gjatë dhe pas një emisioni në RTSH, duke deklaruar se ajo e kishte falënderuar për kontributin e tij.

Por Bukurie Mata e mohoi sërish këtë version, duke këmbëngulur se nuk e njeh Durajn dhe nuk ka komunikuar me të.

Përballë këtyre kundërshtimeve, Duraj deklaroi se qëllimi i tij nuk kishte qenë protagonizmi apo përfitimi nga rasti, por sipas tij, ofrimi i mbështetjes për familjen, përfshirë edhe përpjekjet për të siguruar ndihmë financiare.

Debati mes tyre u tensionua, ndërsa Bukurie Mata iu drejtua drejtpërdrejt avokatit:

Nuk kam komunikuar me ty. Pranoje, pastro ndërgjegjen, nuk ke komunikuar me mua përmes Flori Gjinit, do të ndjek penalisht. Je i pandërgjegjshëm”, tha ajo.

Rasti i Bleona Matës, e cila rezulton e zhdukur prej vitesh, vijon të mbetet një prej çështjeve më të ndjekura të personave të zhdukur në Shqipëri. Ndërkohë, pretendimet e bëra publikisht nga Duraj janë mohuar nga familja dhe përfaqësuesi i saj ligjor.