Monika Lubonja reagon pas videove intime: "Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë..."

Monika Lubonja via Instagram
Monika Lubonja via Instagram

Aktorja e njohur Monika Lubonja ka reaguar publikisht pas përfshirjes së emrit të saj në çështjen e materialeve intime të kompozitorit Adrian Hila, duke bërë të ditur se ka ndërmarrë hapa ligjorë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lubonja ka treguar se i është drejtuar organeve të drejtësisë, duke theksuar se synon të mbrojë dinjitetin dhe privatësinë e saj.

Aktorja shprehet se ndihet e tradhtuar nga një person të cilit i kishte dhënë besimin dhe disa vite nga jeta e saj. Sipas saj, ajo nuk ka pasur dijeni dhe nuk ka dhënë pëlqimin për t’u regjistruar, e aq më pak që materialet intime të saj të shpërndaheshin apo publikoheshin.

“Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë”, shkruan Lubonja.

Në reagimin e saj, aktorja u ka bërë thirrje mediave të respektojnë privatësinë dhe të mos publikojnë materiale intime apo të përfshihen në spekulime lidhur me rastin.

Ajo gjithashtu i është drejtuar opinionit publik, duke kërkuar që dhimbja e saj të mos kthehet në argëtim dhe të mos gjykohet për besimin që i ka dhënë personit që ajo e cilëson si të pabesë.

Krahas reagimit, Monika Lubonja ka publikuar edhe padinë e depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në dokument, Lubonja figuron si e dëmtuar akuzuese ndaj shtetasit Adrian Hila, ndërsa përmenden veprat penale “Fyerja”, sipas nenit 119 të Kodit Penal, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, sipas nenit 121 të Kodit Penal.

Lubonja ka bërë të qartë se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore deri në fund, duke shprehur bindjen se e vërteta do të dalë në pah.

“Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ia fal askujt që përdori jetën time! Do ta ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do të flasë”, përfundon aktorja.

Instagram Post
DeKZl-7EQm1