Meghan Markle është fotografuar për herë të parë në publik në Mbretërinë e Bashkuar, pas rikthimit atje së bashku me Princin Harry dhe dy fëmijët e tyre.
Dukesha e Sussex-it u pa të hënën në Cotswolds, ku kaloi kohë me mikeshën e saj Ellen DeGeneres dhe bashkëshorten e saj, Portia de Rossi. Të treja u takuan në pub-in historik Three Horseshoes, pranë Burford, në Oxfordshire.
Sipas një dëshmitari të cituar nga Page Six, Meghan, Ellen dhe Portia biseduan dhe qeshën së bashku përpara se Meghan t’u jepte lamtumirën dhe të largohej.

Meghan Markle, e fotografuar në pub-in e shekullit të 18-të "The Three Horseshoes", pranë Burford-it, në Oxfordshire. Burimi: SWNS
Kjo përbën daljen e parë publike të fotografuar të Meghan-it që prej zhvendosjes së familjes në Angli në fund të gushtit. Në fillim të shtatorit u raportua se ajo ishte parë edhe në Soho Farmhouse, por në atë rast nuk kishte fotografi që ta konfirmonin.
Takimi me Ellen DeGeneres nuk ishte krejt i papritur. Meghan dhe Ellen njihen prej vitesh, ndërsa Dukesha kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e rinovimit të betimeve martesore të Ellen dhe Portia në vitin 2023.
Dy familjet kanë gjithashtu një tjetër të përbashkët: lidhjen me Kaliforninë dhe zhvendosjen drejt Anglisë.
Harry dhe Meghan jetuan në Montecito, Kaliforni, që prej vitit 2020, në të njëjtën zonë ku kishin shtëpinë edhe Ellen dhe Portia. Çifti televiziv u zhvendos në Angli në vitin 2024.
Ndërkohë, ndërsa Meghan ka zgjedhur një profil më të qetë javët e fundit, Princi Harry është shfaqur disa herë në publik. Dalja e tij e parë zyrtare pas rikthimit ishte në Invictus Spirit Gala Dinner & Awards, ku deklaroi se ndihej mirë që ishte sërish “në tokën britanike”.
Më pas ai mori pjesë edhe në lançimin e programit edukativ INSPIRE dhe në WellChild Awards.
Harry dhe Meghan u rikthyen në Britani së bashku me fëmijët e tyre, Princin Archie, 7 vjeç, dhe Princeshën Lilibet, 5 vjeçe, pas rreth gjashtë vitesh jetë në Kaliforni.
Në vitin 2025, Harry kishte dhënë disa sinjale se po e konsideronte seriozisht mundësinë e rikthimit. Në një bisedë me këngëtaren Joss Stone, ai kishte folur ndër të tjera për cilësinë e shkollave britanike dhe rëndësinë e komunitetit për fëmijët.
Tashmë, disa javë pas zhvendosjes, Meghan duket se po përshtatet gradualisht me jetën e re në Britani. Dhe dalja e saj e parë publike nuk ndodhi në një ceremoni mbretërore, por në një pub të Cotswolds, në shoqërinë e një mikeshe të vjetër që gjithashtu ka lënë pas jetën në Kaliforni.




