Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për përplasjen mes Joz Markut dhe Edi Kuçit, pamjet e së cilës kanë bërë xhiron e rrjetit gjatë ditëve të fundit.
Sipas raportimit të Top Channel, nga veprimet e deritanishme hetimore është përcaktuar se incidenti ka ndodhur në Tiranë, në zonën e mbikalimit të Rinasit. Ndërkohë, Policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Një prej detajeve kryesore që po hetohet lidhet me ndalimin e automjetit të Edi Kuçit. Sipas raportimit, në pamje shfaqen disa persona që i bëjnë shenjë Edit të ndalojë automjetin e tij “McLaren”, duke përdorur një tabelë të Policisë së Shtetit.
Pas ndalimit, Edi dyshohet se është nxjerrë nga automjeti, moment pas të cilit ka ndodhur përplasja fizike.
Përdorimi i tabelës së Policisë, së bashku me pamjet e incidentit të publikuara në rrjetet sociale, ka bërë që Policia e Tiranës të nisë veprimet hetimore dhe procedurale, me qëllim rindërtimin e dinamikës së plotë të ngjarjes.
Në kuadër të hetimeve, Jozefin Marku është shoqëruar në polici, ndërsa bashkë me të është shoqëruar edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka pasur rol në incident. Identiteti i tij nuk është bërë publik deri më tani.
Hetimet vijojnë, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë pritet t’u shërbejnë autoriteteve për të përcaktuar rolin e secilit person të përfshirë në ngjarje.
Duhet theksuar se shoqërimi apo hetimi i një personi nuk nënkupton përcaktimin e fajësisë. Përgjegjësia përfundimtare përcaktohet vetëm nga organet kompetente, në përputhje me procedurat ligjore.




