Johnny Depp raportohet se ka humbur mbi 600 mijë euro pasi ra viktimë e një mashtrimi të sofistikuar financiar që zgjati për gati dy vite.
Sipas mediave ndërkombëtare, të dhënat e kartës së tij American Express janë vjedhur dhe përdorur në fshehtësi për qindra transaksione luksi, pa u vënë re për një kohë të gjatë.
Autoritetet bëjnë me dije se janë kryer blerje të shumta të shtrenjta, udhëtime dhe pagesa të lidhura me një stil jetese luksoz.
Hetimet çuan në një operacion policor në Budapest, ku forcat speciale bastisën një apartament në Distriktin 13 të qytetit.
Në pranga ka përfunduar një 27-vjeçar me origjinë jordaneze, i cili dyshohet si personi kryesor pas skemës së mashtrimit.
Sipas hetuesve, alarmi fillestar u dha nga një bankë amerikane, e cila konstatoi lëvizje të dyshimta në llogaritë e Johnny Depp dhe njoftoi autoritetet federale amerikane.
Më pas, hetimi u koordinua me FBI në Hungari, e cila arriti të gjurmonte të dyshuarin përmes adresave IP.
Dyshohet se informacionet bankare të aktorit janë siguruar përmes blerjeve online ose rezervimeve hoteliere gjatë periudhës kur ai ndodhej shpesh në Budapest për xhirimet e filmit Modì.
Sipas raportimeve, nga janari 2024 deri në dhjetor 2025 janë realizuar plot 308 transaksione të ndryshme.
Rasti nuk u zbulua menjëherë pasi pagesat individuale nuk konsideroheshin mjaftueshëm të mëdha për të ngritur dyshime të menjëhershme, duke kaluar kështu “nën radar”.
I dyshuari aktualisht ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza për mashtrim kompjuterik. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia raportoi gjithashtu gjetjen e substancave të dyshuara narkotike, të cilat mund ta rëndojnë më tej situatën e tij ligjore.




