Pas eksperiencës së saj në “Big Brother VIP Albania 5”, Greta Kazazi duket se nuk ka ndërmend të qëndrojë gjatë larg ekranit. Ish-banorja ka zbuluar se së shpejti do të rikthehet në televizion, këtë herë si pjesë e një projekti të ri në Top Channel.
E ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, Greta foli për planet e saj profesionale, por edhe për jetën personale, lidhjen me partnerin e saj, Onno, si dhe marrëdhënien që ka krijuar me familjen e tij.
Një nga temat e diskutimit ishte festa e 25-vjetorit të Gretës, ku familjet e çiftit u takuan për herë të parë. E pyetur nëse ky takim mund të konsiderohej si një lloj fejese, Greta e mohoi.
“Fejesë jo, se ka qenë një ditëlindje. Por familjet janë takuar se nuk ishin takuar. Jemi të lumtur të gjithë bashkë”, tregoi ajo.
Greta foli me shumë dashuri edhe për nënën e Onnos, duke zbuluar se raporti mes tyre është mjaft i afërt.
“E kam si një nënë të dytë, si shoqe, se është shumë e re. Nuk mund ta quaj vjehrrë”, u shpreh Greta.
Ajo tregoi se ka krijuar një marrëdhënie të mirë edhe me babain e Onnos, ndërsa sipas saj, edhe partneri i saj është përshtatur mirë me familjen e saj.
“Jemi gjendur të dy mirë me familjet e njëri-tjetrit”, tha ajo.
Gjatë intervistës nuk mungoi as pyetja për Selin Bollatin. Greta sqaroi se marrëdhënia mes tyre vazhdon të jetë shumë e mirë, edhe pse angazhimet profesionale dhe qëndrimi i Selinit në Kosovë kanë bërë që të mos takohen aq shpesh kohët e fundit.
“Shumë mirë, jam shumë e lumtur. Për shkak të punës dhe se ajo ka qenë edhe në Kosovë, nuk jemi takuar shpesh. Por dimri na mbledh më shumë se vera”, tregoi Greta.
Ndërkohë, lidhur me një bashkëpunim të mundshëm mes Onnos dhe Gimbos, ajo zbuloi se dy djemtë komunikojnë për çështje pune, por preferon të mos ndërhyjë në këtë aspekt.
Pas përfundimit të aventurës në BBVIP 5, Greta duket se po përgatitet për një tjetër dalje në ekran. Ajo konfirmoi se së shpejti do të jetë pjesë e një programi të ri në Top Channel, ndërsa detajet e projektit ende nuk janë bërë të ditura.




