Një ngjarje e rëndë ka dalë sërish në vëmendje pas arrestimit në Itali të dy vëllezërve, Artur dhe Arben Mëhilli, të cilët akuzohen për një vrasje të ndodhur vite më parë, në kuadër të një hakmarrjeje familjare.
Sipas autoriteteve, ata kanë ekzekutuar personin që dyshohej se kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, babai i ish-banorit të Big Brother VIP Albania, Stenaldo.
Ky i fundit ka rrëfyer më herët brenda shtëpisë historinë e dhimbshme të humbjes së të atit. Ai tregoi se Sokoli ishte vrarë në mënyrë të pabesë, pasi para ngjarjes kishte përqafuar autorin dhe më pas ishte qëlluar pas shpine.
Mes emocionesh, Stenaldo u shpreh se në jetë shpesh ndodh që njerëzit e guximshëm bien viktimë e atyre që veprojnë me frikë dhe pabesi.
Ai gjithashtu ndau përjetimet e tij personale, duke treguar se është rritur pa praninë e të atit dhe se kjo mungesë ka qenë pjesë e jetës së tij që në fillim. Sipas tij, nuk ka pasur një moment të vetëm kur e ka “marrë vesh” tragjedinë, pasi ajo ka qenë gjithmonë pjesë e realitetit të tij.
Në rrëfim, Stenaldo përmendi edhe vështirësitë shëndetësore, duke treguar se humbja e shikimit i ka ardhur në moshë shumë të vogël, çka ka qenë një tjetër sfidë për të dhe familjen.
Ndërkohë, dy vëllezërit Mëhilli janë dënuar në mungesë nga Gjykata e Lushnjës me 32 vite burg në total për vrasjen e një të riu në vitin 1999, një akt që lidhet me zinxhirin e hakmarrjeve mes familjeve.




