Platforma X Media, e themeluar nga Donald Veshaj dhe Romeo Veshaj, ka ngritur dyshime mes ndjekësve pasi nuk ka publikuar asnjë përmbajtje të re prej më shumë se tre javësh.
Publikimi i fundit daton më 13 qershor, me episodin e emisionit “Më Lër Ta Mbaroj”. Në fund të tij, Donaldi u shpreh se do të riktheheshin javën pasuese, por që prej asaj dite nuk është transmetuar asnjë program i ri dhe nuk është dhënë asnjë sqarim zyrtar për këtë ndërprerje.
Heshtja e platformës ka nxitur aludime mbi të ardhmen e projektit, ndërsa vëllezërit Veshaj kanë qenë në qendër të vëmendjes edhe për zhvillime të tjera gjatë muajve të fundit.
Sipas informacioneve të publikuara nga Prive by Liberta Spahiu, brenda X Media kanë nisur riorganizime të stafit, ku një pjesë e ekipit mësohet se nuk do të jetë më pjesë e platformës. Këto lëvizje kanë shtuar dyshimet se pezullimi i programacionit mund të lidhet me ndryshime të brendshme.
Ndërkohë, gjatë muajit maj u raportua gjithashtu se Donald Veshaj, së bashku me ortakët e tij, ka aplikuar për një leje zhvillimi për ndërtimin e një kulle 33-katëshe në Vlorë, një projekt që tërhoqi vëmendje të madhe mediatike.
Për momentin, Donald dhe Romeo Veshaj nuk kanë bërë asnjë reagim publik për situatën e X Media, duke lënë të paqartë nëse bëhet fjalë për një pauzë të përkohshme apo për një ristrukturim më të gjerë të platformës. Ndjekësit mbeten në pritje të një njoftimi zyrtar për fatin e projektit.




