Largimi i Vanesës nga “Ferma VIP” vazhdon të trazojë debatet, ndërsa raporti i saj me Indrin po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.
Mbrëmja e eliminimit ishte tepër emocionale, me Indrin që u pa i përlotur pas ndarjes nga partnerja e tij. Por atmosfera në fermë ndryshoi shpejt me hyrjen e banorëve të rinj, mes tyre edhe Klevisa, e cila duket se ka trazuar menjëherë dinamikat në shtëpi.
Situata mori vëmendje të madhe kur Klevisa, sapo mbërriti në fermë, zgjodhi pa hezitim pikërisht Indrin për ta shoqëruar brenda. Menjëherë pas kësaj, dyshja u pa shumë pranë njëri-tjetrit, mes batutash dhe të qeshurash që nuk kaluan pa u komentuar nga publiku.
Tema u diskutua edhe sot në “Ferma VIP Club”, ku Vanesa ishte e ftuar në studio. Aty, opinionisti Albano Bogdo nuk i kurseu thumbat ndaj saj, duke bërë një deklaratë që ndezi menjëherë reagime.
“Indri e harroi patericën sapo Klevisa hyri në shtëpi”, – u shpreh Albano, duke shtuar se Indri nuk ka ndaluar së qeshuri dhe ngacmuari me banoren e re.
Deklarata e tij ka shtuar edhe më shumë dyshimet mbi raportin mes Indrit dhe Vanesës, ndërsa hyrja e Klevisës po shihet si një nga zhvillimet më të forta të momentit në “Ferma VIP”.




