Këngëtari Butrint Imeri ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave rozë, këtë herë jo vetëm për muzikën, por edhe për jetën e tij private.
Artisti ka organizuar së fundmi një event privat për prezantimin e albumit të tij të ri “I pari”, i cili pritet të publikohet më 10 qershor.
Në këtë organizim, ku ishin të pranishëm familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të afërt, një e ftuar e veçantë ka bërë që të rikthehen dyshimet për një romancë të mundshme.
Bëhet fjalë për aktoren turke me origjinë shqiptare Su Burcu Yazgi Coskun, e cila ka qenë pjesë e eventit të këngëtarit.
Prania e saj ka nxitur menjëherë thashethemet në rrjet, pasi emrat e Butrint Imerit dhe aktores janë lidhur edhe më herët në diskutimet e fansave.
Kamerat e emisionit “Prive” kanë kapur momente nga aktiviteti, duke dokumentuar pjesëmarrjen e aktores në një festë kaq të përzgjedhur për artistin shqiptar.
Su Burcu Yazgi Coskun është një nga emrat e njohur të ekranit turk, veçanërisht për rolin e saj si Asiye në serialin “Kardeşlerim”, ndërsa ka marrë pjesë edhe në projekte të tjera televizive.
Deri tani, as Butrinti dhe as aktorja nuk kanë bërë ndonjë konfirmim zyrtar për natyrën e marrëdhënies së tyre.
Megjithatë, pjesëmarrja e saj në këtë event privat ka mjaftuar që fansat të ngrenë pikëpyetje: bëhet fjalë për një miqësi, një bashkëpunim apo një romancë të re në showbiz?




