“A është në burg babai?” – Selin reagon ashpër dhe nxjerr të vërtetën me një foto që bëri bujë!

Selin Bollati via Instagram
Selin Bollati via Instagram

Fituesja e “BB VIP 5”, Selin Bollati, ka vendosur t’u japë fund njëherë e mirë aludimeve që kanë qarkulluar për babain e saj, duke i mohuar kategorikisht zërat se ai ndodhet në burg.

E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo sqaroi se mungesa e tij në finalen e madhe ka nxitur shumë komente, por sipas saj arsyeja është krejt tjetër dhe lidhet me probleme dokumentacioni, jo me çështje ligjore.

“Babi ndodhet jashtë vendit, jeton dhe punon atje. Ka liri të plotë dhe nuk është në burg. Nuk erdhi sepse është në pritje të dokumenteve,” u shpreh Selin, duke hedhur poshtë çdo spekulim.

Situata mori një kthesë interesante kur gjatë emisionit u shfaq një foto e babait të saj, ku ai imitonte gjestin viral që Selin bëri gjatë qëndrimit në shtëpinë e “BB VIP 5”. Ky moment tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe solli reagime në studio.

Deklaratat dhe pamjet e publikuara kanë rikthyer në fokus jetën private të fitueses, duke ndezur sërish diskutimet në rrjet. Megjithatë, Selin këmbëngul se gjithçka është keqinterpretuar dhe kërkon që publiku të mos bjerë pre e thashethemeve.