“Isha vajza më e shëmtuar e shkollës”, sot Anok Yai është një nga supermodelet më të kërkuara në botë...

Anok Yai via Instagram
Anok Yai via Instagram

Nëse do ta shihnit sot Anok Yai në një pasarelë, ndoshta do ta kuptonit pse në rrjetet sociale shumë njerëz pyesin nëse ajo është vërtet reale. Tiparet e veçanta, lëkura e errët, sytë dhe pamja e saj pothuajse surreale e bëjnë të duket si një personazh i krijuar nga Inteligjenca Artificiale.

Por pas imazhit magjepsës të supermodeles fshihet një histori shumë më njerëzore.

Anok Yai, e lindur në Kajro në vitin 1997, vjen nga një familje me origjinë sudaneze. Prindërit e saj u larguan nga Sudani dhe, kur Anok ishte vetëm tre vjeç, familja u vendos në SHBA, fillimisht në New York dhe më pas në New Hampshire, ku ajo u rrit së bashku me motrat dhe vëllezërit e saj.

Fëmijëria nuk ishte gjithmonë e lehtë. Për shkak të ngjyrës së lëkurës, Anok u përball me racizëm dhe ngacmime në shkollë. Për një kohë të gjatë, ajo kishte krijuar bindjen se ishte “vajza më e shëmtuar” e shkollës.

Ironikisht, ajo për të cilën vlerësohej më shumë nga të tjerët ishte inteligjenca. Prindërit e saj, të cilët i kushtonin rëndësi të madhe arsimimit, e imagjinonin të ardhmen e Anok-ut krejt ndryshe: ata e shihnin atë si mjeke, jo si modele.

Në vitin 2017, kur ishte vetëm 19 vjeç dhe studente, një fotograf e fotografoi rastësisht gjatë festimeve të Homecoming në Washington. Fotografia përfundoi në Instagram dhe brenda pak ditësh jeta e saj mori një kthesë të papritur.

Agjencitë e modelingut nisën ta kërkonin dhe vetëm disa muaj më vonë, vajza që dikur nuk e konsideronte veten të bukur bëri një hap që dukej i paarritshëm: hapi sfilatën e Prada-s në Milano.

Momenti ishte historik, pasi Anok u bë modelja e parë me ngjyrë që hapi një sfilatë të Prada-s pas Naomi Campbell.

Që nga ai moment, karriera e saj mori hov. Anok Yai u shndërrua në një nga fytyrat më të njohura të modës, duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të industrisë dhe duke u shfaqur në kopertina të rëndësishme ndërkombëtare.

Por vitet e fundit sollën një tjetër betejë, këtë herë shumë më të vështirë.

Anok u përball me një problem serioz të lindur në zemër dhe mushkëri, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë dhe më pas u përball edhe me infeksion dhe sepsis.

Pas një periudhe të gjatë rikuperimi, asaj iu desh të mësonte përsëri të ecte.

Pas gjithë viteve që kishte kaluar duke mësuar të ecte si modele në pasarelat më të mëdha të botës, kësaj here iu desh të mësonte përsëri të ecte si njeri.

Sot, Anok Yai është rikthyer në botën e modës.

Instagram Post
DdvtXQ-leBG

Dhe ndoshta kjo është pjesa më e veçantë e historisë së saj: vajza që dikur ishte bindur se nuk ishte mjaftueshëm e bukur, sot është një prej atyre fytyrave që bëjnë botën të ndalet dhe të pyesë nëse është vërtet reale.

Anok Yai është reale. Dhe historia e saj është shumë më e jashtëzakonshme se çdo imazh i krijuar nga AI.