Pas plagosjes së rëndë të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që u lëndua gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, Bes Kallaku ka ndarë një përditësim të ri për gjendjen shëndetësore të mikut të tij.
Përmes një postimi në Instagram, aktori dhe këngëtari bëri të ditur se ka komunikuar me Erjonin mëngjesin e sotëm dhe se, fatmirësisht, gjendja e tij është përmirësuar. Megjithatë, dëmtimi serioz në sy kërkon trajtim më të specializuar jashtë Shqipërisë.
“Sot në mëngjes pata mundësinë të flas me Erjonin! Lavdi Zotit është më mirë, por ka nevojë për një ndërhyrje më të specializuar jashtë shtetit. Presim që sot të niset! Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe gatishmërinë që keni treguar. Zoti ju bekoftë!”, shkroi Kallaku në reagimin e tij.

Bes Kallaku via Instagram Story
Kujtojmë se Erjon Vishkulli u plagos në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit, ku, sipas raportimeve, u godit nga një plumb gome. Pas ngjarjes, 28-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës, ndërsa dëmtimi ka ngritur shqetësime për gjendjen e shikimit të tij.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te transferimi i tij jashtë vendit për trajtim të specializuar. Deri më tani, nuk është bërë i ditur destinacioni ku pritet të dërgohet i riu.




