“Fashista!” – G Bani del në mbrojtje të Bledi Manes pas incidentit...

“Fashista!” – G Bani del në mbrojtje të Bledi Manes pas incidentit...

Reperi G Bani ka reaguar ashpër pas denoncimit të gazetarit Bledi Mane, i cili pretendon se është sulmuar dhe kërcënuar nga një grup personash në Tiranë.

Përmes një videoje të publikuar në Instagram Story, G Bani ka shprehur mbështetjen e tij për gazetarin, ndërsa personat që, sipas Manes, e kanë sulmuar, i ka cilësuar si “fashista”.

“Kishin sulmuar Bledi Manen sot, fashistat. Nuk ngelën pa përdhosur asnjë zë të logjikës, nuk mbetën pa sulmuar asnjë opozitar të vërtetë. Këta fashista, fashista që duan të kalojnë me dhunë mendimin e tyre, pijanerë të xhaxhit Enver”, është shprehur reperi.

G Bani ka vijuar duke thënë se edhe nëse një ditë këta persona do të arrinin në pushtet, ai nuk do të kishte respekt për ta.

“Ndoshta do të vijë një ditë ndonjëherë në pushtet, se historia shkruhet nga më i forti. Ndoshta me dhunën e tyre do të vijnë në pushtet, por asnjëherë respekt s’do të kem për ta, asnjëherë”, ka deklaruar ai.

G Bani via Instagram Story

Reagimi erdhi pasi Bledi Mane publikoi një deklaratë në Instagram, ku rrëfeu një incident që, sipas tij, kishte ndodhur një ditë më parë, rreth orës 16:00 në Tiranë.

Instagram Reel
DeJXRDXRI9S

Gazetari pretendon se është ndjekur nga një grup prej rreth 30 personash, të cilët i ka përshkruar si “protestues të revolucionit flamingo”. Sipas rrëfimit të tij, situata ka nisur me goditjen e tij me një vezë dhe një gur të vogël në pjesën e pasme të kokës.

Mane ka treguar se më pas është ndalur për t’i pyetur personat se çfarë kishin me të, por, sipas tij, turma ka nisur ta shajë, fyejë dhe kërcënojë.

Ai pretendon gjithashtu se personat në fjalë i kanë dhënë udhëzime se si duhet të ushtrojë profesionin e gazetarit, çfarë të shkruajë dhe si të flasë në televizion.

“Turma prej 30 personash, mes të cilëve edhe minorenë, mes sharjeve dhe kërcënimeve, më orientonte se si duhet të bëj gazetari dhe çfarë duhet të shkruaj e si duhet të flas në televizor”, ka shkruar gazetari.

Në deklaratën e tij, Mane e ka cilësuar ngjarjen si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë, duke theksuar se presioni apo dhuna nuk duhet të pengojë gazetarët në ushtrimin e profesionit.

Në fund, gazetari ka falënderuar organizatat e gazetarëve, mediat, kolegët, miqtë, Policinë e Shtetit dhe trupin diplomatik për solidaritetin dhe mbështetjen.

Ndërkohë, G Bani ka zgjedhur ta bëjë publike mbështetjen e tij për Manen, duke dënuar përdorimin e dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarit.