“Është më shumë se e gjunjëzuar”/ Ema Andrea tregon si është Monika Lubonja pas videove intime...

“Goca dhe Gra” - Top Channel
“Goca dhe Gra” - Top Channel

Publikimi dhe shpërndarja e videove intime të personazheve të njohur ka rikthyer diskutimet mbi privatësinë, gjykimin publik dhe pasojat që situata të tilla mund të kenë te personat e përfshirë.

Kjo temë u diskutua në emisionin “Goca dhe Gra”, ku aktorja Ema Andrea zbuloi se kishte komunikuar personalisht me Monika Lubonjën pas situatës së krijuar.

Andrea tregoi se, sipas komunikimit që kishte pasur me të, gjendja emocionale e aktores është tepër e rënduar. Ajo kërkoi gjithashtu që Lubonja të mos përballet me një tjetër valë sulmesh dhe gjykimesh publike.

“Kam pasur kontakte me Monikën. Është më shumë se e gjunjëzuar, kaq mund të them, sepse nuk dua të thyej besimin e saj. Është rëndë t’i hedhësh gurë të tjerë sipër. Nëse duan të dalin publikisht, le të japin versionin e tyre. Prandaj po këmbëngul që të mos i shohim gjërat bardh e zi. Nuk është çështje viktimizimi”, u shpreh ajo.

Më tej, Ema Andrea e zhvendosi diskutimin te martesa, familja dhe përgjegjësia që shoqëron vendimin për të krijuar një jetë të përbashkët.

Sipas saj, gabimet që mund të ndodhin brenda një marrëdhënieje nuk duhet të nënkuptojnë domosdoshmërisht që një person duhet të vazhdojë të jetojë në një raport të bazuar te gënjeshtra.

“Institucioni i familjes duhet të forcohet. Nuk mund të shtrëngojmë një njeri të jetojë në gënjeshtër sepse ka bërë një gabim. Institucioni i martesës duhet të forcohet dhe duhet matur mirë kur e merr këtë vendim, ose mos e merr. Sepse i bën fëmijët dhe ikën. Ke marrë nga koha e familjes, e bashkëshortes”, deklaroi Andrea.

Në këtë mënyrë, aktorja bëri thirrje për më shumë mirëkuptim dhe më pak gjykim publik, duke vënë theksin te pasojat njerëzore që mund të ketë një situatë e tillë.