Zbardhen detaje të ngjarjes tragjike në Ksamil! 6 minuta dhunë që i morën jetën turistit portugez...

Zbardhen detaje të ngjarjes tragjike në Ksamil! 6 minuta dhunë që i morën jetën turistit portugez...

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja tragjike në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendez. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar Prokurorinë e Sarandës të rindërtojë minutë pas minute dinamikën e përleshjes së ndodhur më 18 gusht 2026.

Sipas dosjes hetimore, konflikti ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe brenda vetëm pak minutash situata ka kaluar në dhunë fizike, duke përfunduar me vdekjen e turistit portugez.

05:14 – Nis gjithçka

Pamjet tregojnë disa shtetas, mes tyre Ibrahim Lemoie, Sudae Akhmat, Florian Cetina dhe viktimën Luis Mendes, duke dalë nga lokali “Principotes” dhe duke qëndruar në zonën e rërës pranë plazhit “Paradise”.

05:15 – Përplasja e parë

Pak minuta më vonë, David Gjana (alias Heuertvent) dhe Sokrat Lipan (Vata) i afrohen grupit të turistëve të huaj nga zona e parkimit të lokalit.

Situata tensionohet fillimisht pas një shtytjeje mes Sokrat Lipanit dhe një prej personave të grupit. Më pas, Lipan ndjek një prej tyre dhe godet Ibrahim Lemoie, i cili rrëzohet mbi shezllone.

05:17 – Luis Mendes ndërhyn

Në këtë moment, Luis Mendes ndërhyn për të mbrojtur mikun e tij dhe përplas me trup Sokrat Lipanin, duke e rrëzuar në tokë.

Pas ngritjes, sipas pamjeve të administruara në dosjen hetimore, Lipan i drejtohet me dhunë Mendesit. Në përleshje përfshihet edhe David Heurtevent, ndërsa më pas konfliktit i bashkohet edhe Sudae Akhmat.

Situata përshkallëzohet më tej kur në konflikt përfshihet edhe Serxhi Selimi, i cili godet shtetasin francez Ibrahim Lemoie.

Për t'i shpëtuar dhunës, turisti futet në det

Në një moment, Luis Mendes mbetet i rrethuar nga Sokrat Lipan dhe David Heurtevent. Për t'u larguar nga përleshja dhe për t'i shpëtuar goditjeve, ai largohet me nxitim dhe futet në det.

Por edhe kjo nuk mjafton për t'i dhënë fund konfliktit.

05:17:53 – Goditet sërish pranë detit

Mendes afrohet nga ana jugore e plazhit, pranë zonës së kamarierëve, ku sipas pamjeve përballet me Serxhi Ademin.

Ky i fundit e godet me grushte dhe e shtyn sërish në drejtim të detit.

05:18 – Del nga uji i mbuluar me gjak

Pak çaste më vonë, Luis Mendes del nga deti dhe nis të ecë drejt shezlloneve të plazhit “Paradise”.

Pamjet e kamerave, sipas dosjes hetimore, tregojnë se bluza e tij e bardhë ishte e mbuluar me gjak.

05:18–05:20 – Të dyshuarit largohen

Në minutat që pasojnë, personat e dyshuar largohen nga vendi i ngjarjes.

Sipas të dhënave të dosjes, David Heuertvent fshihet brenda ambienteve të “Principotes”, ndërsa në rrobat e tij vërehen shenja gjaku. Ndërkohë, Sokrat Lipan largohet i gjakosur, i shoqëruar nga kamarieri Igli Cekani.

Kështu, nga pamjet e kamerave të sigurisë, hetuesit kanë rindërtuar një kronologji prej vetëm disa minutash, gjatë të cilave një konflikt mes dy grupeve përshkallëzoi në një ngjarje tragjike që i mori jetën turistit portugez.