YouTube i thotë “jo” marrëveshjes së Meta-s për fëmijët: “Ne i kemi masat tona të sigurisë”

Thiago Prudencio/SOPA Images/LightRocket via Getty Images
Thiago Prudencio/SOPA Images/LightRocket via Getty Images

YouTube nuk duket se ka ndërmend t’i bashkohet marrëveshjes shumë-miliardëshe të Meta-s me disa shtete amerikane, e cila synon forcimin e sigurisë së fëmijëve dhe adoleshentëve në platformat online.

CEO i YouTube, Neil Mohan, ka deklaruar se kompania ka investuar prej vitesh në mekanizma për mbrojtjen e përdoruesve të rinj dhe se nuk e sheh të nevojshme të ndjekë të njëjtën rrugë si Meta.

“Ne kemi investuar për një kohë shumë të gjatë për t’u siguruar që të rinjtë të jenë të sigurt në platformën tonë”, deklaroi Mohan për CNN, duke theksuar se siguria e përdoruesve të rinj do të vijojë të jetë një prioritet për kompaninë.

Deklaratat e tij vijnë pasi Meta ka rënë dakord për një marrëveshje prej 18 miliardë dollarësh, për të mbyllur pretendimet e disa shteteve amerikane se platformat e saj ishin dizajnuar në mënyrë të tillë që të krijonin varësi dhe të kontribuonin në problemet e shëndetit mendor të të rinjve.

Në kuadër të marrëveshjes, Meta ka kërkuar që edhe platformat rivale, përfshirë YouTube dhe TikTok, të ndërmarrin masa të ngjashme. Propozimet përfshijnë kufizimin e kohës së përdorimit, heqjen e funksionit “likes” për adoleshentët dhe mbikëqyrjen nga palë të treta të praktikave të sigurisë.

Sipas marrëveshjes, Meta do të paguante 70% të shumës, ndërsa pjesa tjetër do të lidhej me pjesëmarrjen e TikTok dhe YouTube. Dy platformat janë kërkuar të paguajnë rreth 6 miliardë dollarë secila, krahas ndryshimeve në politikat e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonda, ka deklaruar se shtetet janë të gatshme të ndërmarrin hapa ligjorë ndaj YouTube dhe TikTok nëse kompanitë nuk i bashkohen marrëveshjes.

Megjithatë, Mohan këmbënguli se YouTube ka tashmë mekanizma për mbrojtjen e të miturve. Ndër masat e përmendura është mundësia që prindërit të kufizojnë kohën që adoleshentët kalojnë duke parë videot Shorts.

CEO i YouTube tha gjithashtu se kompania po bashkëpunon me ekspertë të pavarur për zhvillimin e masave të reja të sigurisë për fëmijët.

“Ne jemi gjithashtu një platformë shumë e ndryshme nga Meta”, tha Mohan, duke vënë në dukje se YouTube po fokusohet gjithnjë e më shumë edhe në konsumimin e përmbajtjeve përmes televizorëve në shtëpi.

Ndërkohë, TikTok nuk ka komentuar ende mbi thirrjet për t’iu bashkuar marrëveshjes së Meta-s.

YouTube dhe Meta janë përballur gjithashtu me një tjetër proces gjyqësor në mars, ku të dyja kompanitë u shpallën përgjegjëse në një çështje të ngritur nga një e re, e cila pretendonte se platformat ishin krijuar në mënyrë të tillë që të krijonin varësi dhe të dëmtonin shëndetin e saj mendor. Të dyja kompanitë kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin.

YouTube ka arritur gjithashtu një marrëveshje me një tjetër adoleshent që kishte ngritur një padi të ngjashme, ndërsa marrëveshje të tilla kanë arritur edhe TikTok dhe Snap.

Në total, të katër kompanitë vazhdojnë të përballen me qindra padi në SHBA nga individë, familje dhe distrikte shkollore, të cilët pretendojnë se platformat e tyre kanë ndikuar negativisht te përdoruesit e rinj.