Një moment emocionues mes Lamine Yamal dhe Lionel Messit pas finales së Botërorit 2026 ka marrë një tjetër kuptim, pasi talenti spanjoll ka zbuluar fjalët që i tha legjendës argjentinase gjatë përqafimit të tyre.
Pas përfundimit të finales mes Spanjës dhe Argjentinës, Yamal iu afrua Messit dhe e përqafoi. Ishte një moment simbolik mes dy brezave të futbollit: 19-vjeçari sapo kishte fituar trofeun më të madh të karrierës, ndërsa Messi, në moshën 39-vjeçare, po përjetonte një nga momentet e fundit me kombëtaren.
Spanja triumfoi në një finale dramatike ndaj Argjentinës, falë golit të Ferran Torres në kohën shtesë, duke siguruar kështu titullin botëror.
Pas ndeshjes, Yamal foli jo vetëm për triumfin, por mbi të gjitha për respektin dhe admirimin që ka për Messin. Në një intervistë për The Guardian, ai tregoi se çfarë i tha gjatë atij përqafimi.
“Thashë faleminderit për gjithçka që i ke dhënë futbollit. Nuk i bëj gjërat për t’u dukur bukur në fotografi, më erdhi nga brenda”, u shpreh Yamal.
Takimi mes dy futbollistëve riktheu në vëmendje edhe një fotografi ikonike që prej vitesh ka qarkulluar në rrjetet sociale, ku Messi shfaqet duke larë Yamalin kur ai ishte ende foshnjë, gjatë një fotosesioni.
Imazhi është konsideruar shpesh si një simbol i kalimit të brezave në futboll, megjithatë Yamal ka pranuar se fillimisht nuk ishte aspak i kënaqur me publikimin e tij.
Futbollisti spanjoll ka treguar se kishte frikë se fotografia do të nxiste edhe më shumë krahasimet me Messin, sidomos duke qenë se të dy kanë një lidhje të fortë me Barcelona-n.
Megjithatë, pas finales së Botërorit, Yamal pati mundësinë të ndante me Messin një moment që nuk kishte të bënte me fotografitë apo krahasimet, por me mirënjohjen për një prej figurave më të rëndësishme të historisë së futbollit.




