Pas përfundimit të bashkëpunimit me Top Channel, aktori Julian Deda duket se ka gati projektin e tij të radhës. Këtë herë, ai do t’i përkushtohet kinemasë, në një prodhim të ri ku do të bashkëpunojë edhe me Arbana Osmanin.
Gjatë një interviste për RTSH, aktori zbuloi se po përgatitet për një film të ri, i cili pritet të titullohet “1 milion rrugë”. Projekti do të realizohet nën regjinë e Eduart Grishajt, një emër i njohur për publikun shqiptar.
Një detaj që e bën këtë projekt edhe më interesant është përfshirja e Arbana Osmanit, e cila pritet të provojë për herë të parë rolin e producentes në një projekt kinematografik.
Ky angazhim vjen pas largimit të Jul Dedës nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku ai ishte pjesë e ekranit të Top Channel. Tashmë, aktori duket se po orienton vëmendjen drejt një fushe tjetër, duke lënë përkohësisht mënjanë angazhimet e përditshme televizive.
Bashkëpunimi mes Jul Dedës, Arbana Osmanit dhe Eduart Grishajt pritet të sjellë një tjetër prodhim në kinemanë shqiptare, megjithëse detajet mbeten ende të pakta.
Deri më tani, nuk janë zbuluar historia e filmit, kasti i plotë apo data e premierës. Gjithashtu, mbetet për t’u mësuar se çfarë roli do të ketë Jul Deda në “1 milion rrugë” dhe kur do të nisin xhirimet.




