U gjet i fshehur në tualet/ Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i Joz Markut, ja akuzat që rëndojnë ndaj tij...

U gjet i fshehur në tualet/ Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i Joz Markut, ja akuzat që rëndojnë ndaj tij...

Policia ka zbardhur detaje të reja nga arrestimi i këngëtarit Jozefin Marku, i cili është vënë në pranga në kuadër të hetimeve për dhunimin e 26-vjeçarit Eduart Kuçi.

Sipas Policisë, 30-vjeçari Jozefin Marku është gjetur i fshehur në tualetin e banesës së 31-vjeçarit Kristjan Nikolli. Ky i fundit është arrestuar gjithashtu, ndërsa Anton Huli, 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë, efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë bashkëpunuar me strukturat e Policisë së Lezhës, duke kryer një sërë veprimesh hetimore.

Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Gjithashtu, është sekuestruar një automjet tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Sipas hetimeve, Kristjan Nikolli dyshohet se ka qenë drejtuesi i automjetit.

Sipas njoftimit të Policisë, ndaj Jozefin Markut janë ngritur akuza për veprat penale:

  • “Heqja e paligjshme e lirisë”

  • “Plagosja e lehtë me dashje”

  • “Kanosja”

  • “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”

  • “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”

Ndërkohë, Kristjan Nikolli akuzohet, ndër të tjera, për “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”.

Nga hetimet e deritanishme, Policia dyshon se Marku dhe personat e tjerë të përfshirë kanë dhunuar Eduart Kuçin, me pretendimin se 26-vjeçari kishte fyer një prej tyre.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, Anton Huli dhe 27-vjeçari me inicialet K. V., si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.