“Shihemi në kapitullin tjetër”/ Pas 8 vitesh, Tayna merr vendimin e papritur për karrierën...

Tayna via Instagram
Tayna via Instagram

Pas 8 vitesh performanca të pandërprera në diskoteka dhe mbrëmje muzikore, Tayna ka vendosur të marrë një pauzë nga ky ritëm intensiv.

Reperja ka përfunduar “Genesis Summer Tour” dhe përmes një mesazhi drejtuar ndjekësve ka reflektuar mbi vitet e fundit të karrierës dhe verën e ngarkuar që sapo ka përfunduar.

8 vite aktive, 8 vite duke u parë me ju në diskoteka… mendoj që e meritoj një pushim prej tyre”, shkroi Tayna, duke e përshkruar verën si të lodhshme, kaotike, por njëkohësisht shumë të bukur.

Një rol të rëndësishëm në këtë sezon ka pasur edhe albumi “Genesis”, i publikuar në maj me 13 këngë. Artistja tregoi se një nga momentet më emocionuese të turneut ishte të dëgjonte fansat duke kënduar këngët e reja.

Ta nxjerrësh një album prej shpirtit tim dhe pastaj të vish në klub e t’ju dëgjoj juve duke i ditur fjalët më mirë se unë ndonjëherë… është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj”, u shpreh ajo.

Megjithatë, mesazhi i Taynës nuk nënkupton një largim nga muzika. Bëhet fjalë për një pauzë nga performancat e shpeshta në diskoteka, ndërsa reperja duket se po lë të hapur derën për projekte të reja.

Tani po ju lë pak rehat prej meje… edhe diskotekat pak rehat prej meje. Shihemi në kapitullin tjetër”, përfundoi Tayna, pa zbuluar se çfarë ka planifikuar për këtë kapitull të ri.