Një deklaratë e Rihanna-s ka mjaftuar për të ndezur sërish emocionet e fansave, të cilët prej vitesh presin rikthimin e këngëtares me muzikë të re.
Gjatë një transmetimi të Fenty Beauty në TikTok, Rihanna u pyet për materialet muzikore që vazhdon t’i mbajë të papublikuara.
Duke bërë një krahasim me paketën “Gloss Bomb Vault”, e cila përmban dhjetë produkte, këngëtarja u shpreh:
“Nëse këtu janë dhjetë produkte, atëherë unë kam të paktën 17 kuti me këngë.”
Kaq mjaftoi që fansat të nisnin menjëherë llogaritjet. Duke u bazuar te krahasimi i saj, shumë prej tyre kanë arritur në përfundimin se Rihanna mund të ketë rreth 170 këngë të papublikuara në arkivin e saj.
Megjithatë, këngëtarja nuk e konfirmoi drejtpërdrejt shifrën 170, ndaj kjo mbetet vetëm një interpretim i fansave dhe jo një shifër zyrtare e materialeve të saj muzikore.
Deklarata ka rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes “R9”, albumin e nëntë të shumëpritur të artistes. Fansat kanë kohë që presin të zbulojnë se kur Rihanna do të rikthehet zyrtarisht me një projekt të ri muzikor.
Albumi i saj i fundit në studio, “Anti”, u publikua në vitin 2016 dhe që prej atëherë pritja për një rikthim të plotë në muzikë vetëm sa është rritur.
Tani, një pyetje mbetet në ajër: sa prej këtyre këngëve të papublikuara do të dëgjojmë më në fund?




