WhatsApp po përgatit një nga ndryshimet më të mëdha të viteve të fundit, i cili do të transformojë mënyrën se si përdoruesit komunikojnë në platformë. Shumë shpejt, nuk do të jetë më e nevojshme të ndani numrin e telefonit për t’i shkruar dikujt.
Risia e re sjell username-t, një sistem që do t’u lejojë përdoruesve të krijojnë një emër unik, përmes të cilit mund të gjenden dhe të marrin mesazhe, në një mënyrë të ngjashme me rrjetet e tjera sociale.
Kompania ka nisur tashmë t’u japë disa përdoruesve mundësinë të rezervojnë username-in e tyre, ndërsa funksioni pritet të bëhet i disponueshëm për të gjithë gjatë muajve në vijim.
Deri më sot, për të kontaktuar një person në WhatsApp ishte e domosdoshme të kishe numrin e tij të telefonit. Me këtë përditësim, komunikimi do të mund të realizohet vetëm përmes username-it, duke ofruar më shumë privatësi dhe duke mbrojtur të dhënat personale të përdoruesve.
Sipas informacionit të publikuar, username-t do të kenë nga 3 deri në 35 karaktere. Për të parandaluar mashtrimet dhe rastet e imitimit, platforma do të rezervojë emra të caktuar për figura publike, institucione dhe organizata të njohura.
Një tjetër veçori e rëndësishme është se WhatsApp nuk do të krijojë një listë publike me username-t dhe as nuk do të ofrojë sugjerime gjatë kërkimit. Kjo do të thotë se, për t’i dërguar mesazh një personi për herë të parë, përdoruesit do të duhet të dinë saktësisht username-in e tij.
Me këtë hap, WhatsApp synon të forcojë privatësinë e përdoruesve dhe ta bëjë komunikimin më të sigurt, duke iu afruar modelit të platformave moderne të mesazheve.




