Qarkullon videoja e vjetër e 29-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e turistit në Ksamil...

Qarkullon videoja e vjetër e 29-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e turistit në Ksamil...

Një video e vjetër e Sokrat Vatës, 29-vjeçarit të arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale.

Instagram Reel
DcNujZRNa5M

Në pamjet që janë shpërndarë online, Sokrat Vata shfaqet në një ambient turistik në jug të Shqipërisë, duke kërcyer dhe u argëtuar në shoqërinë e turistëve të huaj. Sipas raportimeve, videoja është realizuar rreth një vit më parë.

Pamjet janë rikthyer në vëmendje pas ngjarjes së rëndë të 18 gushtit në Ksamil, ku Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas një konflikti.

Sipas të dhënave të policisë dhe raportimeve paraprake mbi hetimin, Vata dyshohet se e ka goditur turistin me një mjet prerës, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.

29-vjeçari u lokalizua disa orë më vonë në aksin Levan-Fier, ku dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Policia bëri të mundur arrestimin e tij.

Kontrasti mes pamjeve të vjetra, ku i riu shihet duke u argëtuar me turistë të huaj, dhe ngjarjes së rëndë për të cilën ai dyshohet se është përgjegjës, ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.

Rasti ka marrë vëmendje të madhe edhe për faktin se ngjarja ndodhi në Ksamil, një prej destinacioneve më të frekuentuara të Shqipërisë nga turistët e huaj gjatë sezonit veror.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. Sipas të dhënave paraprake, konflikti dyshohet se ka nisur në ambientet e një lokali dhe më pas ka vijuar jashtë tij.

Përveç Sokrat Vatës, autoritetet kanë proceduar edhe persona të tjerë në lidhje me ngjarjen dhe rrethanat që çuan në vdekjen e turistit portugez.