Luiz Ejlli ka reaguar publikisht pas protestës së studentëve të zhvilluar mbrëmjen e 13 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë. Përmes një postimi në Instagram, këngëtari ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si u trajtuan qytetarët gjatë tubimit.
Në reagimin e tij, Luizi ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionet shtetërore, duke theksuar se mënyra se si një shtet sillet me qytetarët që shprehin pakënaqësitë e tyre tregon shumë për të.
“Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur”, ka shkruar këngëtari.
Një pjesë e veçantë e reagimit të tij i është kushtuar studentëve dhe të rinjve, të cilët protestojnë për kushtet në universitete dhe për mundësinë e ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë në Shqipëri.
“Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë”, shprehet Luizi në një tjetër pjesë të mesazhit të tij.
Reagimi i artistit vjen pas incidenteve të raportuara gjatë protestës, ku u shënuan përplasje me forcat e policisë dhe persona të lënduar. Në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe pamjet që tregojnë trajtimin e një 19-vjeçari të dëmtuar, duke nxitur diskutime të shumta në opinionin publik.
Pas ngjarjeve, sipas raportimeve, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e pesë zyrtarëve dhe nisjen e verifikimeve për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Në fund të reagimit të tij, këngëtari ka shprehur solidaritet me familjet e prekura dhe personat që mbetën të lënduar, duke bërë thirrje që ajo që ndodhi të mos harrohet.
“Lutem Zotit që t’i japë forcë atyre që sot po qajnë, t’u shërohen plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër”, ka përfunduar ai.
Reagimi i Luiz Ejllit i është shtuar diskutimeve që pasuan protestën e 13 tetorit, ku vëmendje të veçantë kanë marrë përdorimi i forcës nga policia, trajtimi i protestuesve dhe e drejta e qytetarëve për të protestuar.




