Duket se “Big Brother VIP 2” po rikthehet në një tjetër formë në ekranin e Top Channel. Pas rikthimit të Luiz Ejllit, tashmë një tjetër ish-banore e atij edicioni i është bashkuar televizionit, dhe bëhet fjalë për Olta Gixharin.
Aktorja do të jetë një nga prezantueset e reja të “Fiks Fare”, ku do të ndajë drejtimin e emisionit me Dorian Ramaliun.
Ky përbën një rikthim të rëndësishëm për Oltën në ekranin e Top Channel, disa vite pas eksperiencës së saj në “Big Brother VIP 2”. Gjatë atij edicioni, rivaliteti i saj me Luiz Ejllin ishte ndër historitë më të komentuara dhe një prej dinamikave kryesore të spektaklit.
Tashmë, dy ish-rivalët e njohur të BBV2 do të jenë sërish pjesë e të njëjtit televizion, por këtë herë në role krejtësisht të ndryshme dhe me projekte të reja.
Top Channel ka konfirmuar dyshen e re që do të drejtojë “Fiks Fare”, ndërsa emisioni investigativ do të vijojë me misionin e tij për denoncimin e problematikave me interes publik.
“Një sezon i ri, një dyshe e re dhe një mision që mbetet i pandryshuar”, thuhet në njoftimin e televizionit.




