Janë bërë publike disa mesazhe private të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që mbeti i plagosur rëndë gjatë protestës së studentëve në Tiranë. Bisedat, të shkëmbyera me një mik të tij vetëm pak orë përpara ngjarjes, janë shpërndarë në rrjetet sociale.
Në komunikimin mes tyre, i riu dhe miku i tij flasin për një maskë mbrojtëse, ndërsa bashkëbiseduesi e këshillon të tregohet i kujdesshëm.
“A mbron ajo maska?”, e pyet miku, ndërsa Erjoni i përgjigjet: “Është origjinale nga ato të motorave. Janë të mira”.
Në vijim të bisedës, bien në sy edhe mesazhet “Mbaje vetë, vlla”, “Ruaje veten” dhe “E bashkohu me ne”, të cilat, pas asaj që ndodhi, kanë tërhequr vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale.

Erjon Vishkulli u plagos në syrin e majtë gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në kryeqytet. Sipas raportimeve, ai dyshohet se u godit nga një plumb gome gjatë ndërhyrjes së policisë, pas së cilës u transportua drejt Spitalit të Traumës.
Shqetësim të madh ka shkaktuar gjendja e tij shëndetësore. Gazetari Flavio Qarri ka raportuar se 28-vjeçari ka humbur shikimin në syrin e dëmtuar.
Sipas informacioneve të publikuara, Vishkulli iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila u ndërpre për shkak të një hemorragjie. Raportohet se objekti që i shkaktoi plagosjen nuk është hequr ende dhe se një tjetër ndërhyrje pritet të kryhet këtë të diel, më 25 tetor, në varësi të gjendjes së tij.
Megjithatë, informacionet për humbjen e shikimit dhe ecurinë e operacionit nuk janë konfirmuar ende nga një njoftim zyrtar mjekësor.
Përveç angazhimit të tij në protestë, Erjon Vishkulli është pjesë edhe e grupimit të tifozëve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”. Plagosja e tij ka nxitur reagime dhe shqetësim të madh në rrjetet sociale.
Publikimi i këtyre mesazheve ka rikthyer vëmendjen te biseda e zakonshme mes dy miqve, të zhvilluar pak orë përpara një ngjarjeje që e la 28-vjeçarin në gjendje të rëndë shëndetësore.




