Përplasjet mes studentëve dhe policisë gjatë protestave në Tiranë kanë nxitur reagime të shumta, jo vetëm nga personazhe të politikës, por edhe nga figura të njohura të ekranit.
Mes tyre është edhe Elijona, ish-finalistja e “Big Brother VIP Kosova 4”, e cila ka shprehur publikisht solidaritetin e saj me studentët shqiptarë, duke dënuar dhunën ndaj tyre.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Elijona ka theksuar se të rinjtë po protestojnë për të drejtat e tyre, dinjitetin dhe një të ardhme më të mirë, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, janë trajtuar gjatë tubimeve.
“Studentët e Tiranës po luftojnë për të drejtat e tyre, për një të ardhme më të mirë dhe për dinjitetin që çdo i ri meriton. Të shohësh të rinjtë që kërkojnë të drejtat e tyre dhe përballen me dhunë nga ata që duhet t’i mbrojnë, është e dhimbshme dhe e papranueshme.
Zëri i studentëve nuk duhet të shtypet, por të dëgjohet. Ata nuk janë armiq, nuk janë kriminelë. Janë e ardhmja e këtij vendi. Solidaritet me studentët e Tiranës”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, ish-finalistja e reality show-t ka vënë në qendër respektimin e të drejtave të studentëve dhe lirinë për të protestuar, duke kërkuar që shqetësimet e tyre të mos shpërfillen.
Ajo ka bërë gjithashtu thirrje që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të trajtohen me seriozitet, duke kujtuar rëndësinë që studentët kanë për të ardhmen e Shqipërisë.
Reagimi i Elijonës vjen në një kohë kur protestat studentore dhe zhvillimet që i kanë shoqëruar ato vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes publike.




