Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka bërë të ditur në rrjetet sociale koncertin që Luiz Ejlli do të mbajë në Velipojë, më 20 gusht.
“Luiz Ejlli rikthehet për publikun shkodran! Më 20 gusht, Velipoja bëhet gati për një super mbrëmje me një prej artistëve më të dashur të publikut, Luiz Ejlli”, ka shkruar Beci, duke njoftuar se koncerti do të nisë në orën 20:00.

Por postimi i kryebashkiakut socialist rikthen në vëmendje edhe një episod të muajve të fundit që lidhet me Luiz Ejllin.
Këngëtari shkodran publikoi një këngë që lidhej me protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, duke zgjedhur muzikën si mënyrë për të përcjellë mesazhin e tij.
Në atë periudhë, Luizi e kishte shpjeguar vendimin duke thënë se, ndërsa qytetarët kishin zgjedhur rrugën për të protestuar, ai kishte zgjedhur muzikën, pasi besonte se zëri i tij do të dëgjohej më mirë përmes një kënge.
Kënga u shoqërua me nota revolte ndaj politikës shqiptare, duke tërhequr vëmendjen e publikut.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja: A do ta këndojë Luizi këtë këngë në koncertin e Velipojës? 👀
Në njërën anë, kemi Benet Becin, i cili ka promovuar publikisht koncertin, ndërsa në anën tjetër Luiz Ejlli, i cili më herët ka përcjellë përmes muzikës një mesazh proteste kundër qeverisë.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë publik repertori i koncertit dhe nuk ka asnjë konfirmim se këngëtari do ta përfshijë pikërisht këngën e protestës në performancën e tij.
Përgjigjja pritet të merret mbrëmjen e 20 gushtit, kur Luiz Ejlli të ngjitet në skenën e Velipojës për koncertin e paralajmëruar nga Benet Beci.




