Çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartët në Europë, por diferenca bëhet edhe më e ndjeshme kur çmimi krahasohet me fuqinë blerëse të qytetarëve.
Një litër naftë në vend kushton rreth 229 lekë ose 2.46 euro, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me çmimin më të lartë në Europë, pas Danimarkës (2.60 euro) dhe Norvegjisë (2.56 euro).
Në rajon, çmimet janë më të ulëta: rreth 2 euro në Serbi, 1.87 euro në Mal të Zi, 1.76 euro në Bosnjë-Hercegovinë, 1.85 euro në Kosovë dhe 1.64 euro në Maqedoninë e Veriut. Mesatarja europiane e vendeve të përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.
Por çmimi në pompë nuk tregon të gjithë historinë.
Sa të ardhura i kushton një litër naftë shqiptarit?
Sipas krahasimit të bërë nga Monitor, duke përdorur çmimet e Global Petrol Prices dhe të ardhurat për frymë të publikuara nga FMN për vitin 2026, të matura sipas fuqisë blerëse (PPP), në Shqipëri të ardhurat vjetore për frymë janë rreth 25.2 mijë dollarë ndërkombëtarë.
Kjo përkthehet në rreth 69.2 dollarë ndërkombëtarë të ardhura ditore. Një litër naftë përfaqëson rreth 3.56% të të ardhurave ditore, niveli më i lartë në Europë.
Në Danimarkë, edhe pse nafta kushton më shumë në vlerë absolute, një qytetari i duhet të shpenzojë vetëm 1.06% të të ardhurave ditore për një litër. Të ardhurat ditore për frymë atje arrijnë rreth 245 dollarë ndërkombëtarë.
Në Norvegji, kjo peshë zbret në rreth 0.8%.
Në të gjitha vendet europiane të përfshira në analizë, mesatarja është rreth 1.36%. Kjo do të thotë se një litër naftë përfaqëson për një shqiptar rreth 2.6 herë më shumë të ardhura ditore sesa për qytetarin mesatar europian.
Nëse krahasimi bëhet vetëm me vendet e Bashkimit Europian, mesatarja zbret në 1.14%. Në këtë rast, pesha e një litri naftë për të ardhurat ditore të një shqiptari është rreth 3.1 herë më e lartë.
Shqipëria kryeson edhe në rajon për barrën ndaj të ardhurave
Pas Shqipërisë, Kosova rezulton ndër vendet ku nafta rëndon më shumë mbi të ardhurat, me rreth 3.1% të të ardhurave ditore.
Në Kosovë një litër kushton më pak, rreth 1.85 euro, por të ardhurat ditore për frymë janë rreth 60 dollarë ndërkombëtarë, rreth 14% më të ulëta se në Shqipëri.
Më pas renditen Bosnjë-Hercegovina me 2.66% dhe Serbia me 2.09%. Në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, pesha është më e ulët, përkatësisht rreth 1.89% dhe 1.88%.
Pse çmimi është kaq i lartë në Shqipëri?
Një faktor i rëndësishëm është barra fiskale, e cila sipas të dhënave të Monitor zë gati gjysmën e çmimit në pompë.
Në Shqipëri, përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër dhe TVSH-së 20%, aplikohen edhe dy taksa të tjera: taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.
Në disa vende të rajonit struktura fiskale është më e thjeshtë. Për shembull, në Kosovë aplikohet TVSH 18%, ndërsa në Mal të Zi nafta ngarkohet me TVSH dhe akcizë. Në Maqedoninë e Veriut TVSH-ja për naftën dhe benzinën është 18%, ndërsa gjatë periudhave të rritjes së çmimeve është përdorur edhe ulja e saj.
Nafta arrin rekordet, por masat lehtësuese mungojnë
Nafta në Shqipëri ka arritur në 229 lekë për litër, ndërsa benzina në 219 lekë, duke shënuar nivele të larta dhe duke shtuar presionin mbi konsumatorët dhe bizneset.
Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, rritja e çmimeve po ndodh në një periudhë kur nuk janë ndërmarrë masa të reja lehtësuese për konsumatorët.
Ndërkohë, mekanizmi për uljen me 20% të akcizës mbetet i kufizuar në zbatimin e tij. Sipas skemës, masa aktivizohet kur nafta kalon 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë, ndërsa aplikimi i saj lidhet me vendimmarrjen e Bordit.
Në këtë situatë, çështja nuk lidhet vetëm me çmimin e naftës në pompë, por edhe me sa të ardhura ditore duhet të sakrifikojë një qytetar për të blerë një litër karburant. /Monitor




