Klodi dhe Elijona ishin ndër të ftuarit në emisionin “Top Arena”, ku folën hapur për historinë e tyre të dashurisë, duke ndarë me publikun momente të veçanta nga njohja dhe marrëdhënia e tyre.
Gjatë një sfide argëtuese të moderuar nga Mateo, Klodi u pyet se kur e kuptoi se ndjente diçka më shumë për Elijonën.
Ai zbuloi se gjithçka kishte nisur gjatë qëndrimit në Big Brother, ku lidhja mes tyre u krijua natyrshëm.
“Ajo është një person që më ka bërë gjithmonë të ndihem shumë mirë. Jashtë shtëpisë gjen realitetin tënd dhe ke më shumë mundësi ta njohësh tjetrin.”
Kur moderatori këmbënguli të zbulonte momentin e saktë kur i “ra zemra bam”, Klodi pranoi se nuk ka pasur një çast të vetëm, por se ndjenjat u ndërtuan gradualisht.
Edhe Elijona ndërhyri në bisedë, duke theksuar se lidhja e tyre është forcuar me kalimin e kohës dhe se ndjenjat janë pjekur dita pas dite.
Përveç momenteve romantike, intervista u shoqërua edhe me batuta. Klodi tregoi se te partnerja vlerëson më shumë sinqeritetin, thjeshtësinë dhe besnikërinë, por me humor zbuloi edhe një zakon që e bezdis.
“Është gjithmonë me vonesë. Organizimin e ka tmerr.”
Deklarata shkaktoi të qeshura në studio, ndërsa Elijona reagoi me sportivitet, duke iu afruar me shaka partnerit.
Në fund, çifti iu përgjigj edhe aludimeve që qarkullojnë në rrjet për marrëdhënien e tyre. Klodi i hodhi poshtë këto pretendime, duke u shprehur se komentet e njerëzve nuk ndikojnë në lidhjen e tyre dhe se preferon të mos u japë rëndësi spekulimeve.




