Hetimet për publikimin e videove intime të kompozitorit Adrian Hila kanë kaluar në një fazë të re, pasi në Prokurorinë e Tiranës është hedhur shorti për dosjen. Çështja i është caktuar prokurorit Julian Xhengo.
Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, deri më tani në Polici janë depozituar dy kallëzime që lidhen me materialet e publikuara. Hila ka kallëzuar se ka qenë viktimë e një ndërhyrjeje të paautorizuar në sistemin kompjuterik, ndërsa këngëtarja Eli Fara ka bërë kallëzim për shkelje të privatësisë.
Mbi bazën e këtyre kallëzimeve, hetimet përfshijnë veprat penale që lidhen me hyrjen e paautorizuar kompjuterike, përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike.
Por në dosje është shtuar edhe një tjetër element.
Sipas informacioneve të raportuara nga Hoxha, Policia ka tentuar të këqyrë një hard-disk të sekuestruar, por pas marrjes së tij është konstatuar se pajisja ishte e dëmtuar.
Hila ka deklaruar se hard-diskun e kishte shkatërruar vetë. Sipas shpjegimit të tij, ai nuk ishte i sigurt se nga kishte ardhur ndërhyrja në sistem dhe kishte pasur frikë se persona të tjerë mund të ndërhynin sërish në distancë dhe të merrnin të dhëna.
Pikërisht për këtë arsye, sipas informacionit të publikuar, Prokuroria ka përfshirë në hetim edhe veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë, një ditë më parë, edhe aktorja Monika Lubonja bëri të ditur publikisht se kishte ngritur kallëzim penal ndaj Adrian Hilës, duke publikuar edhe dokumentin përkatës.
Pas caktimit të prokurorit Julian Xhengo, Prokuroria e Tiranës pritet të vijojë procedurat dhe t’i delegojë Policisë detyrat e mëtejshme hetimore, me qëllim zbardhjen e mënyrës se si materialet private janë siguruar dhe më pas kanë përfunduar në rrjet.




