Protestat në Tiranë janë shoqëruar me një tjetër incident, këtë herë pranë godinës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucion që më parë drejtohej nga Belinda Balluku.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, protestuesit i kanë vënë flakën hyrjes së ministrisë, e cila ndodhet pranë ambienteve të Bashkisë së Tiranës.

Një person i pranishëm në vendngjarje ka publikuar pamjet ku shihen flakët në derën e institucionit, duke i shoqëruar me mbishkrimin ironik “Gëzuar Krishtlindjet”.
Ngjarja vjen në një moment kur Belinda Balluku është rikthyer në qendër të vëmendjes publike, pas një investigimi të transmetuar disa ditë më parë nga emisioni “Fiks Fare”.
Sipas investigimit, disa drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë vijonin t’i referoheshin Ballukut si “shefja”, edhe pas largimit të saj nga posti ministror.
Emisioni ngriti pretendime se ish-ministrja mund të vazhdonte të ruante ndikim në institucion përmes personave të saj të besuar.
Incidenti pranë ministrisë është një tjetër zhvillim në kuadër të protestave që po zhvillohen në kryeqytet, të cilat ditët e fundit janë shoqëruar me tensione dhe përplasje.




