Këngëtari shqiptar Arian Agushi, i njohur si Gold AG, ka rrëfyer detaje nga takimet e tij me ish-krerët e UÇK-së gjatë qëndrimit të tyre në Hagë, si edhe reagimin personal pas vendimit të Dhomave të Specializuara.
I ftuar në “Grida Duma Podcast”, Gold AG tregoi se lajmi për dënimet e preku thellë, duke përshkruar edhe momentet e para pas marrjes së lajmit.
“Mu mor fryma kur u dënuan krerët e UÇK-së, gati pësova infarkt. Nuk doja të vdisja para syve të djalit”, u shpreh këngëtari.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për vizitat dhe bisedat me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke treguar se çfarë mesazhesh ka marrë prej tyre gjatë takimeve në Hagë.
Sipas Gold AG, pavarësisht situatës së vështirë, bisedat me ish-krerët e UÇK-së janë përqendruar te qëndrueshmëria, durimi dhe mënyra se si ata e përjetojnë procesin ndaj tyre.
Këngëtari foli gjithashtu për lidhjen e tij me UÇK-në dhe ndikimin që patriotizmi ka pasur ndër vite në krijimtarinë e tij muzikore.
“Heronjtë tanë janë vrarë në prita”, deklaroi ai, ndërsa për raportin me Shqipërinë u shpreh: “Shqipërinë e kemi dasht pa kushte”.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe historisë personale të Gold AG dhe këngëve të tij me tematikë kombëtare. Ai rikujtoi edhe arrestimin në Greqi, duke thënë se sipas tij kjo lidhej me këngët që kishte realizuar për Çamërinë.
“Kurrë në jetë nuk shkoj të pushoj në Greqi!”, deklaroi këngëtari.
Në bisedë, Gold AG foli edhe për besimin, familjen dhe edukimin e fëmijëve, ndërsa një pjesë të rëndësishme të rrëfimit ia kushtoi pikërisht takimeve me ish-krerët e UÇK-së dhe mënyrës se si e përjetoi vendimin e Hagës.




