Fero ka folur hapur për rikthimin e tij në muzikë, por edhe për procesin gjyqësor që lidhej me ish-bashkëshorten e tij, Arbenita Ismajli.
Gjatë një interviste për emisionin “Prive” në Klan Kosova, reperi u ndal te akuzat për dhunë që kanë shoqëruar emrin e tij, duke dhënë versionin e tij mbi çështjen.
Sipas Feros, ai është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.
“Jam shpallur i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës. Duhet të më kërkojnë falje të gjithë analistët.”, u shpreh reperi.
Artisti tha se dëshiron ta lërë pas këtë periudhë të vështirë dhe të fokusohet te muzika dhe projektet e reja që po përgatit.
Ai bëri të ditur se rikthimi në skenë shënon një kapitull të ri në karrierën e tij dhe paralajmëroi se publiku do të dëgjojë së shpejti materiale të reja.
Kujtojmë se Fero ishte tërhequr nga muzika disa vite më parë, duke deklaruar se kishte vendosur t’i përkushtohej fesë islame. Tashmë, ai ka vendosur të rikthehet në industrinë muzikore.




