Rasti i Bleona Matës, vajzës që u zhduk në vitin 2010, është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut pas disa deklaratave të avokatit Alban Duraj, i cili ka ndarë informacione që thotë se i janë përcjellë nga nëna e saj, Bukurie Mata.
I ftuar në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, Duraj tregoi se kishte komunikuar me Bukurie Matën në fund të qershorit ose në fillim të korrikut. Sipas tij, ajo i kishte bërë me dije se ishte angazhuar një agjenci e specializuar për hetimin e rasteve të personave të zhdukur.
“Ajo ka thënë se Bleona është në një nga vendet e Bashkimit Europian. Pra, kanë arritur që ta identifikojnë se ku ndodhet”, deklaroi Duraj.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është informacioni mbi jetën që Bleona dyshohet se bën sot.
Sipas avokatit, bazuar në informacionin që ai thotë se ka marrë nga nëna e saj, Bleona tashmë është studente ekselente dhe dyshohet se është birësuar nga një çift grek.
“Është studente, madje e shkëlqyer, ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek. Kaq më tha për momentin”, u shpreh ai.
Megjithatë, identiteti dhe vendndodhja e Bleonës nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Avokati nuk bëri të ditur se në cilin shtet të Bashkimit Europian dyshohet se ndodhet ajo, identitetin e familjes me të cilën jeton apo provat konkrete që kanë çuar në këtë përfundim.
Për këtë arsye, informacionet e bëra publike deri tani mbeten pretendime të përcjella nga nëna e Bleonës, dhe jo një identifikim i konfirmuar nga autoritetet.
Ndërkohë, sipas Durajt, Bukurie Mata kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të zhdukjes së vajzës, përveç gjetjes së saj. Ai tha se synohet që çështja t’i drejtohet edhe SPAK-ut, me kërkesën për hetime të mëtejshme dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme.
Bleona Mata u zhduk në maj të vitit 2010, në zonën e Zapodit të Kukësit, kur ishte vetëm 6 vjeçe. Pavarësisht kërkimeve dhe hetimeve ndër vite, rrethanat e zhdukjes së saj nuk janë zbardhur përfundimisht.
Deklaratat e fundit kanë rikthyer në vëmendje një pistë të re mbi fatin e Bleonës, por mbetet ende për t'u konfirmuar nëse informacionet mbi vendndodhjen dhe identitetin e saj do të verifikohen zyrtarisht.




