Këngëtarja Eli Fara ka reaguar publikisht pas zhvillimeve të fundit që kanë prekur jetën e saj private, duke ndarë një mesazh të ndjerë për publikun.
Artistja shprehet se po përjeton një dhimbje të cilën nuk do t’ia uronte asnjë gruaje, ndërsa thekson se pas një jete të tërë në skenë, ku ka ndarë artin me publikun, është veçanërisht e rëndë të shohësh jetën private të kthehet në spektakël.
Sipas saj, situata është shoqëruar edhe me gjykime dhe fyerje, të cilat kanë prekur jo vetëm atë, por edhe familjen e saj.
Megjithatë, Eli Fara thekson se, pavarësisht dhimbjes, nuk ka asnjë arsye të turpërohet.
“Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një personi”, është në thelb mesazhi i saj.
Këngëtarja ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si shpesh grave u vendoset mbi supe turpi për veprime që janë kryer ndaj tyre, duke theksuar se fakti që është artiste nuk ia heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet.
Për këtë arsye, Fara bëri të ditur se çështjen do t’ia lërë drejtësisë dhe institucioneve përkatëse, ndërsa i bëri apel publikut që të ndalojë shpërndarjen e mëtejshme të materialeve private.
Ajo kërkoi gjithashtu më shumë njerëzillëk dhe mirëkuptim, duke u bërë thirrje të gjithëve që, përpara se të gjykojnë, të mendojnë për personin dhe familjen që mund të jenë duke lënduar.
Në fund, Eli Fara falënderoi familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur, qoftë publikisht apo në mënyrë private, gjatë kësaj periudhe.
“Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara me dinjitet dhe me kokën lart”, është mesazhi i saj përmbyllës.




