Egli Tako ka folur hapur për eksperiencën e saj në Big Brother VIP Albania, duke zbuluar se si izolimi brenda shtëpisë ndikoi në krijimin e marrëdhënieve mes banorëve, përfshirë edhe romancën e saj me Gjestin.
E ftuar në podcast-in e Grida Dumës, këngëtarja u pyet nëse ishte e vetëdijshme për vëmendjen e madhe që mori nga publiku dhe për mënyrën se si ky format ndryshoi jetën e saj.
Sipas Egli Takos, përjetimi brenda shtëpisë është krejt ndryshe nga ajo që shohin teleshikuesit, pasi banorët shkëputen plotësisht nga realiteti dhe përjetojnë emocione shumë më të forta.
“Kur hyn aty nuk e di nëse jeta jashtë vazhdon njësoj. Ti shkëputesh totalisht nga realiteti. Nuk jeton më në atë botë që ke lënë pas, por vetëm në atë hapësirë, me ata njerëz dhe ato situata që bëhen e gjithë bota jote”, u shpreh ajo.
Egli theksoi se izolimi bën që lidhjet mes banorëve të krijohen dhe të përjetohen më intensivisht, pasi ata ndajnë çdo moment të ditës së bashku dhe nuk kanë asnjë kontakt me botën jashtë.
Deklarata e saj u interpretua edhe si një reflektim mbi historinë e dashurisë me Gjestin, e cila u kthye në një nga marrëdhëniet më të komentuara të këtij edicioni të Big Brother VIP Albania.
Megjithëse romanca e tyre tërhoqi vëmendje të madhe gjatë spektaklit, lidhja nuk vazhdoi edhe pas përfundimit të formatit, me dyshen që vendosën t’i japin fund marrëdhënies jashtë shtëpisë.




