“E kam goditur vetëm një herë”/ Zbardhet dëshmia e Jozefin Markut pas vendimit për arrest shtëpie...

“E kam goditur vetëm një herë”/ Zbardhet dëshmia e Jozefin Markut pas vendimit për arrest shtëpie...

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për ta lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë bërë publike edhe detaje nga dëshmia e këngëtarit Jozefin Marku lidhur me incidentin me Eduard Kuçin.

Në deklarimin e tij para autoriteteve, Marku ka kërkuar ndjesë për veprimin, duke pretenduar se gjithçka ka ndodhur në një moment tensioni dhe gjaknxehtësie.

Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen”, ka deklaruar këngëtari.

Marku ka pretenduar se kontakti fizik ka qenë i kufizuar në vetëm një goditje, duke mohuar një përplasje më të gjerë fizike nga ana e tij.

E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, ka vijuar ai në dëshminë e tij.

Sipas versionit të këngëtarit, konflikti me Kuçin nuk kishte ardhur si pasojë e një njohjeje të mëparshme personale, por ishte nxitur nga përplasjet në rrjetet sociale dhe komentet që dyshohet se Kuçi kishte bërë ndaj familjes së tij.

Ndërkohë, Gjykata vendosi ndaj Jozefin Markut masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pavarësisht se Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë.