Drenusha Latifi ka reaguar publikisht pas shpërndarjes masive të videove intime që kanë qarkulluar prej ditësh në rrjetet sociale, duke e zhvendosur vëmendjen nga përmbajtja e materialeve te cenimi i privatësisë.
Në një reagim të saj, Drenusha ka theksuar se jeta intime nuk duhet të shndërrohet në arsye për turp apo gjykim publik.
“Seksi është pjesë e jetës. Të gjithë e bëjmë dhe nuk është turp”, shkruan Latifi në nisje të mesazhit të saj.
Sipas saj, shqetësimi kryesor nuk qëndron te fakti që njerëzit kanë një jetë intime, por te publikimi dhe shpërndarja e materialeve private pa pëlqimin e personave që shfaqen në to.
Drenusha ka kritikuar edhe mënyrën se si paralajmërimet për publikimin e videove kanë nxitur kureshtjen e përdoruesve të rrjeteve sociale, duke u bërë thirrje njerëzve që të mos kërkojnë apo shpërndajnë materiale të tilla.
“Mos i kërkoni. Mos i shpërndani. Respektoni privatësinë. Seksi nuk është turp. Shkelja e intimitetit të dikujt është”, përfundon ajo.

Ndërkohë, çështja ka marrë edhe rrugë institucionale, ndërsa Krimet Kibernetike kanë nisur hetimet lidhur me burimin dhe profilet që kanë publikuar apo shpërndarë materialet.
Në kuadër të hetimeve, Adrian Hila është paraqitur në Policinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje. Ai ka mohuar se ka publikuar materialet dhe ka pretenduar se është hakeruar.
Rasti vijon të hetohet, ndërsa rrethanat e plota të regjistrimit dhe publikimit të materialeve nuk janë bërë ende të qarta.




